Kur Amerika u bë fuqi globale, nga izolacionoizmi në internaciolizëm


Prof. Dr. Fatos Tarifa

Kjo ese nga sociologu dhe diplomati i njohur Fatos Tarifa botohet në kuadër të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Pjesa e parë

Qysh nga themelimi i Republikës Amerikane dhe deri në goditjen e befasishme që ajo pësoi nga Japonia, në Pearl Harbor, më 7 dhjetor 1941, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë një fuqi ushtarake e “mënjanuar”,ose e “izoluar” nga bota. Politika e saj ka qenë e orientuar në zhvillimin ekonomik, në zgjerimin e saj territorial në kontinentin e Amerikës Veriore dhe në ngritjen e saj si një fuqi e madhe, pa u angazhuar në aleanca me fuqi të tjera.

Kjo traditë “izolacioniste” zë fill qysh me Presidentin e parë të Shteteve të Bashkuara, George Washington, i cili, në fjalimin e tij të lamtumirës, më 19 shtator 1796, i këshillonte pasardhësit e tij që “t’u qëndronin larg aleancave të përhershme me cilëndo pjesë të botës së huaj”. Sipas tij, angazhimi në aleanca të tilla do të bënte që “paqja dhe prosperiteti [i Amerikës] të bëheshin pre e ambicjeve, e rivalitetit, e interesave, e humoreve ose e kapriçove europiane”. George Washington vlerësonte si një politikë më të mirë dhe më realiste për Shtetet e Bashkuata krijimin e “aleancave të përkohshme për emergjenca të jashtëzakonshme”, çka, në fjalorin e sotëm politik, quhen koalicione ad hoctë vullnetit, si koalicioni që Presidenti George W. Bush krijoi për të realizuar luftën në Irak.

Kjo filozofi politike e presidentit të parë amerikan gjeti shprehjen e vet diplomatike në veprimtarinë e çdo administrate të Shteteve të Bashkuara gjatë shekullit të 19-të. John Quincy Adams, kur ishte Sekretar i Shtetit në administratën e presidentit James Monroe (të cilin ai e zëvendësoi në krye të Shtëpisë së Bardhë, duke u bërë presidenti i gjashtë i SHBA-së), refuzoi në atë kohë një ofertë të Britanisë së Madhe për një deklaratë të përbashkët anglo-amerikane kundër rikolonializimit të Botës së Re, duke u shprehur në favor të një politike neutrale, siç ishte Doktrina Monroe. Adams argumentonte se ai nuk donte që Amerika të shndërrohej në një “diktatore e botës”. Nëse do të bëhej e tillë, shprehej ai, “ajo nuk do të kishte më pushtet mbi shpirtin e saj”. Sipas tij, misioni i Amerikës nuk ishte që t’u shkonte pas monstrave kudo që ishin dhe t’i shkatërronte ato. “Ne jemi”, thoshte ai, “dashamirësit e të gjithë atyre [popujve] që kërkojnë liri, por ne garantojmë vetëm lirinë tonë”.

Duke shpallur neutralitetin e Amerikës në konfliktet e ardhshme midis fuqive europiane, kjo doktrinë përfaqësonte një moment shumë të rëndësishëm në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Ajo theksonte se fuqitë europiane nuk do të mund të kolonizonin më tej territore në Amerikën e Veriut dhe të Jugut, ose të ndërhynin në punët e brendshme të kombeve të Amerikave, dhe se Shtetet e Bashkuara do të qëndronin neutrale në luftrat midis fuqive europiane dhe kolonive të tyre. Megjithatë, po sipas kësaj doktrine, nëse luftra të tilla do të ndodhnin në kontinentin amerikan, SHBA do t’i konsideronte ato si veprime armiqësore ndaj saj. “Doktrina Monroe” u bë kështu parimi udhëheqës i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, politikë përmes të cilës Amerika vendosi hegjemoninë e saj në hemisferën perëndimore.

SHBA e ka evituar vazhdimisht krijimin e aleancave formale me fuqi të tjera. I pari përjashtim ka qenë Traktati i Aleancës me Francën, i nënshkruar në Paris, më 6 shkurt 1778, gjatë Luftës Revolucionare në Amerikë. Sipas këtij traktati, Franca njihte dhe përkrahte pavarësinë dhe sovranitetin e Shteteve të Bashkuara; në shkëmbim, SHBA zotohej se do të ishte aleatja ushtarake e Francës, nëse kjo e fundit do të hynte në luftë me Anglinë. Pesëmbëdhjetë vite me vonë, kur Franca dhe Anglia hynë në luftë me njëra-tjetrën, SHBA nuk iu përmbajt kushteve të atij traktati dhe shpalli Deklaratën e Neutralitetit, me të cilën ajo theksonte se do të mbante një qëndrim neutral në atë luftë.

Pavarësisht këtij fakti historik të njohur, është me interes të vëmë në dukje një tjetër fakt, shumë pak të njohur, atë se, në dhjetorin e vitit 1777, dy muaj para se Amerika të nënshkruante Traktatin e Aleancës me Francën, Sulltani i Marokut, Muhamed III, e përfshiu Amerikën në listën e vendeve për të cilat portet e Marokut do të ishin të hapura. Maroku u bë kështu i pari vend, i cili i njohu publikisht Shtetet e Bashkuara si një shtet më vete. Nëntë vite më vonë, më 1787, Thomas Jefferson dhe John Adams, në emër të Kongresit Kontinental, nënshkruan me Sulltanin Muhamedi III, Traktatin e Miqësisë Marokene-Amerikane (Moroccan-American Treaty of Friendship), duke formalizuar kështu marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve.

Fillimet e politikës internacionaliste të Uashingtonit

E ndarë dhe e mbojtur prej fuqive të tjera të mëdha të globit nga dy oqeane të mëdhenj, Amerika ndoqi një politikë esencialisht izolacioniste e neutrale përgjatë gjithë shekullit XIX. Pothuajse të gjithë presidentët e Shteteve të Bashkuara, demokratë dhe republikanë, deri në fillim të shekullit XX, kishin ndjekur filozofinë politike të George Washington-it e të Thomas Xheferson-it dhe parimet e politikës së tyre të jashtme.

Lufta me Spanjën

E para ngjarje e madhe historike që shënoi një devijim nga kjo politikë tradicionale amerikane ishte lufta kundër Spanjës, në vitin 1898, dhe të parët politikanë që e ndryshuan kursin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara ishin presidenti William McKinley (1897-1901) dhe Theodore Roosevelt, në atë kohë ndihmës sekretar i Flotës i Shteteve të Bashkuara, por që katër vite më vonë, më 1901, u bë president i atij vendi.

Në fakt, president McKinley u detyrua, kundër dëshirës së tij, të hynte në luftë me Spanjën për shkak të debatit të gjerë publik që u zhvillua në atë kohë lidhur me shkaqet misterioze të mbytjes së anijes luftarake amerikane “USS Maine”, si edhe për shkak të lajmeve që vinin nga Kuba mbi masakrat e spanjollëve në atë vend.

Në atë luftë, Shtetet e Bashkuara jo vetëm e mundën këtë fuqi të madhe koloniale, por edhe i morën asaj Filipinet, Kubën, Porto Rikon dhe Guamin, në Oqeanin Paqësor. Vënia nën kontrollin amerikan e këtyre ishujve, që më parë kishin qenë koloni të Spanjës, shënoi të parin pushtim ushtarak të Shteteve të Bashkuara në territore të huaja dhe, me këtë, mund të thuhet se iu dha fund—edhe pse jo krejtësisht—politikës izolacioniaste të saj. Duhet vënë në dukje se ishte po në atë kohë (në vitin1898)—dhe përsëri me insistimin e presidentit McKinley—që Shtetet e Bashkuara, duke përdorur në luftën kundër Spanjës bazën detare në Pearl Harbor, në ishujt Hawaii, i aneksuar këta ishuj, të cilët, dy vite më vonë, u bënë zyrtarisht një territor amerikan dhe, në vitin 1959, shteti i 50-të i Shteteve të Bashkuara.

Lufta e vitit 1898 kundër Spanjës nuk mund të konsiderohet thjesht një “anomali historike” për Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë, Amerika e kishte përmbushur ëndrrën e saj të “manifest destiny” në hemisferën veriore të kontinentit amerikan, por ambicjet e saj nuk mund të kufizoheshin më vetëm në atë kontinent.

Duke pushtuar Filipinet dhe duke e shndërruar Guamin në një territor amerikan, Shtetet e Bashkuara i zgjeruan ndjeshëm mundësitë e tyre konkurruese me fuqitë e tjera të mëdha për të bërë tregti me Kinën. Madje, qysh përpara se të fillonin negociatat e paqes me Spanjën e mundur në atë luftë, në Paris (shtator-dhjetor 1898), presidenti McKinley i kishte kërkuar Kongresit Amerikan që të shqyrtonte mundësitë e Shteteve të Bashkuara për të bërë tregti në rajonin e Azisë Lindore, duke insistuar në krijimin e një “politike të dyerve të hapuara” (Open Door Policy) me Kinën. Kjo politikë do u mundësonte të gjitha vendeve që të tregtonin lirisht me Kinën, pa lejuar që të cënoheshin integriteti territorial dhe interesat e kësaj të fundit.Qysh nga ajo kohë, ky qëndrim u bë dhe mbeti baza e politikës amerikane ndaj Kinës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për rëndësinë që kishte për Shtetet e Bashkuara aneksimi i ishujve Hawaii në atë kohë, siç dëshmohet qartë edhe në shprehjen e presidentit McKinley se: “Ne kemi nevojë për Hawaii-n po aq, në mos edhe më shumë, se ç’kishim nevojë për Kaliforninë. Është manifest destiny”.

Kanali i Panamasë

Ishte po presidenti McKinley, ai që insistoi dhe mori mbështetjen e Kongresit Amerikan për të negociuar me Britaninë ndërtimin e një kanali përmes Amerikës Qendrore, i cili të lidhte Oqeanin Atlantik me atë Paqësor. Ky kanal do të shkurtonte mjaft rrugët tregëtare në të dy krahët e Shteteve të Bashkuara, në dobi jo vetëm të interesave të saj tregtare e ushtarake, por edhe në të mirë të zhvillimit të tregëtisë së vendeve të atij rajoni dhe të mbarë botës. Edhe pse McKinley u vra (më 1901), pa nisur punimet e atij kanali (Kanali i Panamsë), ndërtimi i tij (1904-1914) nga Shtetet e Bashkuara ishte jo vetëm një ndër projektet inxhinierike më të mëdha e më të vështira të të gjitha kohëve, por edhe një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e tregtisë në shkallë globale.

Në vitet e fundit të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, Amerika dukej se po kërkonte të ngjitej në skenën botërore si një fuqi e madhe. Presidenti republikan Theodore Roosevelt (1901-1909), i cili pasoi në detyrë presidentin McKinley, kishte një vizion internacionalist. Ai mendonte se Amerika duhej të luante një rol më të madh në politikën globale dhe të angazhohej në çështje që i kapërcenin kufijtë e saj nacionalë. Roosevelt-i e konsideronte Amerikën si një fuqi e barabartë në klubin e Fuqive të Mëdhadhe, nëse interesat e saj do të binin ndesh me ato të fuqive të tjera të mëdha, ai besonte se Amerika do të duhej të mobilizonte të gjitha resurset e saj për të mbrojtur dhe promovuar interesin e saj kombëtar.Sidoqoftë, duhet thënë se asnjë prej presidentëve amerikanë, as Theodore Roosevelt, as Woodrow Wilson dhe as Franklin Roosevelt, nuk kishin mundur ta imagjinonin dot se Shtetet e Bashkuara do të bëheshin një ditë fuqia hegjemone e globit. Ata e shihnin ekzistencën e një “koncerti” të fuqive të mëdha si alternativën më të mirë ndaj luftrave të përsëritura midis aleancave rivale.

Presidenti Roosevelt inkurajoi pavarësinë e Panamasë nga Kolumbia në vitin 1903, në mënyrë që ta blente më vonë atë territor në të cilin do të ndërtohej Kanali i Panamasë. Në kujtimet e tij, ai shkruan se: “veprimi më i rëndësishëm” që ai kishte kryer në fushën e politikës së jashtme, si president i Shteteve të Bashkuara, “kishte të bënte me Kanalin e Panamasë”. Ndërtimi i këtij kanali, sipas tij, ishte jo thjesht përmbushja e ëndrrës së Kolombit dhe një hap i madh për qytetërimin, por ishte, parasëgjithash, një faktor i rëndësishëm dhe vendimtar për fatin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara si fuqia detare—tregtare e ushtarake—supreme e globit.

Në përmbushje të vizionit të tij mbi misionin e ardhshëm të Amerikës, presidenti Roosevelt, gjithashtu, rriti numrin e forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, negocioi përfundimin e Luftës Ruso-Japoneze, (për çka atij iu dha Çmimi Nobel për Paqe, në vitin 1906), realizoi pushtimin e Filipineve dhe, duke e zhvilluar më tej “Doktrinën Monroe”, deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të ndërhynin ushtarakisht në vendet e Amerikës Latine në rast se do të vinnin re se këto vende keq-qeveriseshin, ose vepronin në mënyrë keqbërëse.

The ‘Dollar Diplomacy’

William Howard Taft, edhe ky republikan, i cili zëvendësoi presidentin Theodore Roosevelt në krye të Shtëpisë së Bardhë (1909-1913), ndoqi, pak a shumë, të njëjtën frymë internacionaliste në politikën e jashtme si edhe pararendësi i tij. Edhe pse politika e tij e jashtme në marrëdhëniet me vendet e Amerikës Latine, e njohur me emrin “diplomacia e dollarit” (Dollar Diplomacy), ishte, përgjithësisht, paqësore, ajo ishte një politikë e cila synonte që, pëmes investimeve të kapitalit finaciar amerikan, të zgjeronte sferën e interesave dhe të influencës së Shteteve të Bashkuara jo vetëm në Amerikën Latine, por edhe në Azinë Lindore.

Më shumë se çdo president tjetër para tij, Taft u tregua tepër aktiv në mbështetjen e bankierëve e të industrialistëve amerikanë për të shfytëzuar mundësitë që ekzistonin për investimin e kapitaleve të tyre jashtë Shteteve të Bashkuara. Ai krijoi një formë të re politike “internacionaliste”, duke e zhvilluar më tej bashkëpunimin tregtar me Kinën, duke penguar, përmes vetos së tij, çdo projekt-ligj anti-emigracion të Kongresit amerikan dhe duke i kufizuar barrierat tregtare me Kanadanë. Michael Hogan, madje, vlerëson se “diplomacia e dollarit”, çështjet tregtare dhe ato ekonomike zinin një vend qëndror në politikën e jashtme të presidentit Taft. Për më tepër, siç shprehet një autor, presidenti Taft besonte sinqerisht se, përmes “diplomacisë së dollarit” përfitonin si investitorët amerikanë, ashtu edhe vendet ku investoheshin kapitalet amerikane.

Gjeneza e hegjemonisë globale amerikane

Kursi i ri imperialist—ose “internacionalist”që filluan të ndjekin presidentët republikanë McKinley, Roosevelt dhe Taft në politikën e jashtme ishte jo vetëm një dukuri pa precedent në historinë e Shteteve të Bashkuara, por edhe një dukuri e pritshme. Në fillim të shekullit XX Amerika ishte bërë një fuqi globale dhe, si e tillë, synimi i saj ishte që t’i pengonte fuqitë e tjera të mëdha të bëheshin fuqi hegjemone në rajonet e tyre. Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në Europë gjatë Luftës së Parë Botërore, synonte pikërisht të parandalonte Gjermaninë dhe Japoninë të bëheshin fuqi hegjemone në Europë, ose në Azinë Lindore dhe në rajonin e Paqësorit përkatësisht.

Nëse ka pasur një shtet në historinë botërore, i cili e ka projektuar dhe realizuar qartazi strategjinë e vet për t’u bërë një fuqi hegjemone në shkallë globale, ai ka qenë dhe është Shtetet Bashkuara. Hegjomonia globale e Shteteve të Bashkuara, që u arrit pas Luftës së Dytë Botërore dhe, sidomos, pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, e ka gjenezën e saj në politikën dhe nëdiplomacinë pragmatiste të këtij vendi në shekullin XIX.

Zgjerimi i territorit të Shteteve të Bashkuara në Perëndim të kontinentit amerikano-verior, pas vitit 1794, përmes një sërë traktatesh, blerja e Luizianës (Louisiana Purchase) prej Francës, më 1803-1804 (ngjarje e cila shënoi momentin kur Amerika zuri “vendin e saj mes fuqive të rangut të parë”, Aneksimi i Teksasit në vitin 1845 dhe i Kalifornisë në vitin 1848, që deri në atë kohë kishin qenë territore të Meksikës, blerja e territoreve që sot janë Nju Meksiko dhe Arizona, në vitin 1853 prej Meksikës, blerja e Alaskës, në vitin 1867 prej Rusisë, kontrolli i plotë mbi Oregonin në vitin 1872, aneksimi i ishujve Hawaii në vitin 1898, dhe kontrolli mbi Kanalin e Panamasë, pas ndërtimit të tij, në vitin 1914—të gjitha këto, siç ka vënë në dukje Henry Kissinger, i kishin siguruar Shteteve të Bashkuara një pozitë gjeopolitike dhe gjeo-ekonomike të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. Kontrolli mbi Kanalin e Panamasë dhe kushtet e veçanta gjeopolitike u bënë faktorë shumë të rëndësishëm për fuqizimin ekonomik, politik e ushtarak të Shteteve të Bashkuara, si dhe për lidërshipin global të Amerikës më vonë.

Qysh në fund të shekullit XIX, Shtetet e Bashkuara u bënë realisht fuqia tregtare më e madhe e Hemisferës PerëndimoreNë vitin 1885, Shtetet e Bashkuara u bënë vendi i parë në botë përsa i përket zhvillimit ekonomik, duke e lënë Britaninë në vendin e dytë, ndërsa në fund të shekullit XIX, Amerika konsumonte më shumë energji sesa Gjermania, Franca, Austro-Hungaria, Rusia, Japonia dhe Italia, të marra së bashku. Përshpejtimi i zhvillimit ekonomik të Amerikës, së bashku me një diplomaci pragmatiste në marrëdhëniet e saj me fuqitë e tjera të mëdha, bënë që të rriteshin edhe pushteti dhe influenca politike e saj në arenën ndërkombëtare. Siç ka vënë në dukje Henry Kissinger: “Asnjë shtet nuk ka qenë më pragmatik në zhvillimin e diplomacisë së vet të përditshme, ose më ideologjik në realizimin e bindjeve të veta morale historike se sa Shtetet e Bashkuara.”

(vijon nesër)

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
search previous next tag category expand menu location phone mail time cart zoom edit close