Nga Alma Nikolli

Nëse je me shkollë të lartë duhet me doemos të dish sa është Everesti, maja më e lartë në botë. Pa rrumbullakosje.

Duhet medoemos të dish çfarë mendon Donald Trump, kur lë Melaninë jashtë çadrës që laget në shi.

Ti, si me shkollë të lartë që je duhet të mos e ngresh zërin në një debat të zhurmshëm, se dreqi e mori je me shkollë.

Imagjinooooooo… të mos dish se kryeqyteti i Brazilit është Brazilia dhe jo Rio, të rroftë shkolla!

Po pate shkollë të lartë duhet që të dish si e do komshia kafen.

Shkolla e lartë medoemos të mëson politikat ekonomike ndërkombëtare.

Nëse je me shkollë të lartë dhe një këngë s’e zbulon “Shazam” (Program që shkarkohet në celular dhe të tregon titullin e këngës), ti nuk e di, je kulturalisht dobët.

Po pate shkollë të lartë nënkuptohesh që nuk ke se si të mos thuash mirëmëngjes i pari dhe duke buzëqeshur, edhe nëse në ëndërr ke parë dinozaurë që po të gllabëronin.

Edhe shkrimin e mjekëve, një shkollëlartë duhet të dijë ta deshifrojë, se doktori është dorë e tij, është me shkollë.

Pale të mos kuptosh një kronikë televizive gjithë teknikalitete, krejt të kundërta me fushën tënde, të hidhet poshtë shkollimi, me vendim unanim fisnor.

Nëse je me shkollë ti duhet të thuash të jesh i lartë. Të dish. Të thuash se di. Të mos kesh gjëra që nuk di.

Qysh se lulëzuan analistët, shkolla e lartë filloi të na turpërojë. Të na përndjekë.

Kur ata zonjat e zotërinjtë në ekran flasin me siguri për një filan çështje, për çdo temë me vite dritë larg fushës së vet të studimit dhe ti si shkollë lartë nuk dite t’i përgjigjeshe bindshëm pyetjeve të vështira, pyetjeve që duan një jetë për t’i ditur… u akuzove se je me shkollë, mos u mërzit. Nuk je vetëm, analistët janë pak, realistët që nuk dimë, jemi shumë.

Thuaj nuk di. Kam harruar. Budalla me shkollë të lartë do të thonë gjithsesi.