PASQYRIMI

Thjesht, shpejt, bukur, saktë…

Pjesa e pestë dhe e fundit e reportazhit : Si mundet që pogradecarët t’a kërcënojnë ekonomikisht Korçën, Durrësin, Vlorën, Himarën ?


Nga Artan Fuga

Nje hua e madhe bankare disadekadashe per Pogradecin dhe një vendimmarrje e ndare me lobitë e operatorëve sipërmarrës

Është festa e birrës në Korçë. Derdhet gëzueshëm pija e freskët në kriklla dhe në fyte njerëzish dhe sjell haré. Përpara një shisheje të hapur, unë vazhdoj ëndërrën time për Pogradecin. Nuk i ndahem asnjëherë birrës Korça dhe kuaqalashes. Në fakt me këtë të fundit më miqësoi reklama e saj. Kuqalashe pa turp ! E gjetur bukur ! Turpi, por jo vetëm, ai të skuq ! Por të skuqesh se nuk ke turp – kjo është pastaj krejt e veçantë. Kurse me birra Korçën më lidhin vitet e rinisë kur bashkë me shokë e shoqe të rinisë shijonim në verë te « Panda », birrën e zezë korçare. Vizitohej atëhere fabrika. Dikur, një nga teknikët, hapi çisternën në rubinetit e saj fundor, më mbushi një gotë birrë dhe ma dha që të më bënte mirë !
Ka ardhur dita e fundit për mua në Pogradec. Mbrëmja korçare më kujton se nesër do të kthehem. Përjetova mbresa të paharruara në Prespë, Korçë, Voskopojë, Pogradec. Veçanërisht në Pogradec.
Më duhet ta mbyll rrëfimin tim. Dhe vesi i universitarit nuk shqitet. E kush është përfundimi ? Fati e ka sjell që ëndërrën time për Pogradecin t’a përmbyll paksa i vetmuar në festën e birrës në Korçë. Jep pak entuziazëm birra Korça, asgjë më tepër, asgjë. Ka nevojë edhe për entuziazëm kur imagjinon të ardhmen. Jo me sot e me nesër, sepse dihet që afatshkurtër asgjë nuk do të ndodhi. Do të fillojnë shirat e vjeshtës dhe Pogradeci do të hyyjë në sezonin e freskët dhe pastaj të ftohtë. Bora e bukur do t’a mbulojë. Lum ai që ka një sobë dhe ca dru zjarri që pogradecarët kujdesen që tani për t’i rehatuar në ballkone, bodrume, a kasolle në fund të oborrit. Duhen shumë dru zjarri në dimër si në Korçë ashtu edhe në Pogradec.
Por, afatgjatë, pse jo, duhet menduar.
Ne që e duam Pogradecin prej dekadash, ata që e kanë dashur prej shekujsh, qytetarët pogradecarë, banorët e tij, qofshin vendasit, si edhe të ardhurit rishtazi, pushtetarët, të zgjedhurit bashkiakë, sipërmarrësit, të gjithë pra ne, kemi nevojë t’a mendojmë të ardhmen e Pogradecit, jo me ditë as me muaj, por për dekadat e ardhëshme. Për ndryshe do të të ndërtojmë kuturu, pa plan, thjesht aq sa lejon një mandat në krye të bashkisë, dhe kaq. Jo, nuk mendohet kështu jeta e një qyteti dhe e një krahine. Problemi është që kështu afatgjatë nuk mendojnë dot politikanët e cilësdo ngjyrë që të jetë. Politika në vetevete është dritëshkurtër sepse gjithmonë priret të marrë vota dhe votat janë pushtet, pushtet që duhet marrë si një sfidë pas një viti a tre vjetësh dhe jo pas disa dekadash. Ja përse politika është dritëshkurtër. Të vetmit që mund dhe duhet të mendojnë afatgjatë janë qytetarët, sipërmarrësit dhe menaxherët ose intelektualët.
Kjo është arsyeja pse nuk duhet menduar si të menaxhohemi nga politika, por duke ftuar qytetarët, sipërmarrësit dhe intelektualët, menaxherët, në administrim. Politika qeveris, por nuk menaxhon dot. Janë dy koncepte që nuk duhen ngatërruar me njeri tjetrin.
Fillimisht duhet menduar se çfarë privilegjesh i ka dhënë natyra dhe fati Pogradecit, ndryshe thënë, duhet menduar mirë se çfarë ka Pogradeci që nuk e kanë qendrat turistike verore buzë dy deteve që ne kemi, dhe që kanë bukuritë dhe vlerat e tyre të veçanta edhe ato.
Ndryshe thënë, menaxheri i zoti duhet të mendojë qartë dhe si t’a bindi e bëjë të ndërgjegjshëm qytetarin për pozicionimin e specifikuar të sipërmarrjes, pra të administrimit të vlerave të qytetit të tij.

Cfarë specifikash ka Pogradeci ndryshe nga qendrat e tjera turistike ?
Së pari, Pogradeci është buzë një liqeni me ujë të ëmbël, në lartësi të konsiderueshme nga deti dhe me një diell që shoqërohet me një freski të thekur përgjatë muajve të nxehtë të beharit. Këto elemente natyrore u mungojnë qendrave turistike detare dhe nuk janë dot të konkurrueshme prej tyre. Le të shkojë jo ministri i turizmit dhe të bëjë reklamë të fshehur nga lokalet në Jug të vendit për vlerat e Jugut, por bashkë me të të shkojë edhe ministri i mbrojtjes, kryetari i gjykatës kushtetuese, avokati i popullit, dhe kush të dojë tjetër, nuk mund të jenë të besueshëm që vlerat natyrore që ka Pogradeci mund t’i krijojnë edhe në vijën bregdetare shqiptare. E pamundur.
Eshtë krejt e veçantë që të jesh i pakonkurrueshëm në treg thjesht për shkak të vlerave që t’i ka falur natyra. Por, teoritë e marketingut, paralajmërojnë që ky fat mund të ndikojë edhe negativisht në motivimin e menaxherëve për të zënë një vend strategjik në treg, sepse privilegji i falur zakonisht të ve në gjumë dhe të tjetrët ta kalojnë. Kam përshtypjen se flenë pak në këmbë menaxherët e qytetit, madje edhe të disa sipërmarrjeve në Pogradec meqë kanë disa vlera të pakonkurrueshme të falura nga natyra. Në një farë mënyre e kanë klientelën e tyre për aq sa të fitojnë në verë dhe ta shtyjnë mirë dimrin pranë zjarrit.
Së dyti, ne kudo themi që turizmi duhet të jetë gjithëvjetor, por në vijën bregdetare është e vështirë të tërheqësh nje klientelë vendase si edhe ndërkombëtare për të kaluar vjeshtën dhe dimrin atje. Prandaj Saranda në dimër duket si qytet fantazmash sado i bukur që është, Durrësi dhe Vlora kthehen në gjendjen e tyre normale sepse çfarë do të bësh të veçantë në dimër atje. Kurse Pogradeci ka sharmin në verë, por ka sharmin dhe në dimër. Sepse është vend malor. Edhe nga kjo anë ai është i pakonkurrueshëm dhe këtë ja ka falur vetë natyra, a Zoti. Ku ka një qendër të madhe turistike bregdetare që të mund të jetë si Pogradeci edhe vend ujor edhe vend malor ? Sigurisht janë disa fshatra në Jug, por ata janë fshatra dhe jo qytete. Se ka « malokë » Veriu, por ka edhe « malokë » Jugu, mos kini merak. Ka edhe në Skrapar, Gore, Mokërr, kudo mo. Mirë që i kemi.
Në Jug në zonat malore buzë detit vështirë se ka dëborë kurse në Pogradec vellua e dëborës të fton për eskursione, vizita, për pejzazh, si edhe për ski.
Së treti, konfiguracioni i liqeni bën që investimet në infrastrukturë të jenë vendosur në formë rrethore dhe jo në vijë të drejtë që i heq zonave të banuara priviilegjin e qendrës dhe të barazlargimit prej saj. Skajet e zonave turistike në Pogradec janë shumë më afër njera tjetrës sa mund të ishin në Sarandë, Vlorë, Durrës, etj. Kjo e bën turistin të jetojë dhe pushojë në një territor që është ndërtuar sipas parimit të vjetër pozitivist : « Qendra është gjithandej dhe periferia është askund ! » Ky lloj konfiguracioni rreth e përreth liqenit bën që investimet në rrugë ose në sektorë të tjerë të jenë më me rendiment dhe me më pak shpenzime.
Së katërti, Pogradeci është përfshirë në një territor krahine ku ka disa qendra turistike, por asnjëra nuk konkurron nga afër njera tjetrën. Ndërkaq kjo nuk ndodh në vijën bregdetare. Ksamili me bukuritë e tij sigurisht konkurron Sarandën, Saranda Butrintin, Butrinti plazhet e tjerë bregdetarë. Po në Durrës, plazhi i Durrësit konkurrohet nga Golemi, Qerreti, Mali i Robit e kështu me radhë, duke shkuar drejt Divjakës. Shëngjini konkurrohet nga Patoku. Vlora konkurrohet nga plazhet e bregut të Vlorës, duke nisur me Dhërmiun e përfunduar në Himarë. Ndërkaq tjetër sharm dhe karakteristika ka Korça, të tjera Pogradeci, të tjera Mokrra, Voskopoja më larg, Prespa dhe kështu me radhë. Qendrat turistike në këtë zonë plotësojnë njera tjetrën dhe nuk mbivendosen mbi njera tjetrën. Klientela nuk segmentohet midis tyre, nuk ndahet midis tyre, por më tepër sesa kaq, krijohet një gjerdan qendrash që tërheqin fort turistin e huaj, duke e bërë këtë pol turistik edhe më atraktiv sesa të tjerët.
Së pesti, për një turist të huaj, plazhet dhe qendrat e turizmit bregdetar në zonën e deteve, ka shumë zgjedhje. Plazhet tona konkurrohen fort nga propozimet shumë herë më të përshtatshme dhe me më shumë tradita marketingu si plazhet italiane, greke, kroate malazeze, etj. Kurse nëse mendojmë në dekadat e ardhëshme zhvillimin e turizmit pogradecar, rezulton se konkurrenca ndërkombëtare është mëe e dobët dhe peshon më pak mbi operatorët e Pogradecit. Duhet thënë se Pogradeci do të vazhddojë të ketë konkurrentë Ohrin, apo Strugën, etj., por gjithësesi jemi brenda një zone gjeografike koherente, rreth një liqeni, ku kalimi i turistëve nga njeri vend në tjetrin do të ishte një vlerë e shtuar.
Së gjashti, të mos harrojmë se nga Pogradeci hapësira tokësore e Bashkimit Europian është më afër sesa nga shumë qendra të turizmit bregdetar. Me disa pika kalimi kufitar në afërsi të vet, me mundësi për të kaluar në Greqi dhe pastaj në Bullgari me mjete transporti tokësor, si edhe për të shkuar më larg drejt Egjeut, Pogradeci jap mundësi lëvizshmërie shumë më të mira ndërkufitare se cdo vend tjetër bregdetar. Që andej kapet pa vështirësi Shkupi, Selaniku, etj.
Së shtati, me Pogradecin janë të lidhur edhe një sërë produktesh rajonale që nuk gjendet në këtë densitet në zonën bregdetare, e cila ka veçori të tjera agroushqimore. Peshku koran që rritet në ujrat e ëmbëla bëhet imazhi i zonës turistike për një klientelë të ngeshme dhe që gjurmon kuzhinën e mirë dhe të rrallë. Mjalti, mollët, patatet, gështenjat, arrat, etj., janë me nam në këto zona.

+++

Gjithsesi duke vazhduar ëndërrën time për Pogradecin e së ardhmes, është fare e dukshme që ka nevojë për zhvillime strategjika afatgjata. Nuk bëhen ato me buxhetet e pushtetit lokal që vijnë nga taksat. Sapo ndreq një rrugë, prishet një tjetër, sapo ndreq një trotuar prishet një tjetër, disa fasada lyen dhe të tjera rreckosen. Nuk i dilet kështu.
Eshtë fjala për zhvillime strategjika që kapin dekadat e ardhëshme nëse nuk duam që Pogradeci të mbetet një qytet i ruralizuar, me bukuri natyrore, por pa infrastruktura turistike që do të tërhiqnin flkukse të mëdha të një turizmi sa elitar aq edhe masiv.
Mbetet në radhë të parë konceptimi i një plani urbanistik i qytetit që duke ruajtur karakteristikat e traditës qytetare pogradecare, të japi mundësi për zhvillime urbane të ardhëshme. Deri ku do të ngjitet në kodrat përreth qyteti ? Cfarë do të bëhet me infrastrukturën e banesave në formë ndërtesave të vjetra me disa kate që janë ezauruar dhe dalë jashtë kohe ? Si do të zhvillohet qyteti si njësi turistike, agroushqimore, kulturore në mënyrë që të krijojë dinamika urbane dhe rurale të fuqishme ? Ku do të kalojnë dhe si do të zhvillohen akset rrugore të qytetit për të përballuar flukset e transportit dhe ruajtur qetësinë karakteristike si vlerë e veçantë e Pogradecit ?
Mbetet së dyti të mendohet fort sesi do të zhvillohet qyteti dhe hapësirat urbanistike turistike në të gjithë perimetrin e liqenit që i takon pjesës shqiptare. Cfarë investimesh afatgjata duhen bërë në malësitë e Mokrrës si edhe në malet përreth për turizmin malor, skinë, dimërimin, gjuetinë, sikurse e lidhur kjo me zhvillimin e pyjeve dhe të pemëve frutore.
Duhet reflektuar, mendja të shkon, së treti, te Prespa që gjithësesi është një zonë turistike fqinje dhe plotësuese e liqenit të Pogradecit. Eshtë Park Natyror Kombëtar, sigurisht, por çfarë do të thotë kjo gjë realisht ? Nuk ka një kopësht zoologjik që mund të ishte më i madhi në vend. Nuk ka një akuarium gjigand që mund të bëhej me famë për nga riprodhimi në miniaturë i botës së gjallë nënujore. Infrastruktura e ndërtimit dhe ajo e hotelerisë në Prespë ka një potencial të jashtëzakonshëm. Lidhja e kodrave me njera tjetrën me sisteme rrugësh dhe urash, zhvillimi i plazheve sot të virgjëra, ndërtimi i qendrave urbane turistike sipas shembullit ta zemë të Korfuzit, ku turisti të jetë njëkohësisht i zhytyr në një mjedis sa ujor, po aq edhe pyjor, sa malor, po aq edhe urban, ashtu edhe rural, do të ishte pra një model që i ka vërtuar potencialet e veta të suksesit.
Së katërti, mbetet për t’u menduar dhe përpunuar një strategji e tërë për të bërë që Pogradeci të ketë një model ekonomik të integruar midis turizmit, pra industrisë të turizmit, industrisë agroushqimore dhe vetë bujqësisë dhe blegtorisë. Ideja është që të krijohet një treg gjigand konsumi produktesh ushqimore që në një pjesë sa më të madhe të ushqehet nga tregu lokal i rajonit.
Së pesti, duhet krijuar identiteti i një logoje dhe i kulturës të qytetit. Duke e tharë kulturalisht qytetin për të nuk ka të ardhme. Infrastruktura e kulturës, e zbavitjes, e artit, e poezisë, pikturës, këngës dhe serenatave pogradecare ka nevojë të dali në pah me të gjithë forcën e vet.
Së gjashti, Pogradeci duke respektuar dhe mirëpritur të ardhurit që janë instaluar atje, si edhe një shtresë turistësh dhe pushuesish që ka karakteristikat e veta sociologjike, moshore, psikologjike, etj., ka vend të hapet te një kategori pushuesish që shpenzojnë më shumë, më të rinj, më dinamikë dhe me kërkesa më të larta. E këtu duhet mbajtur parasysh që ka vend të rikthehet gjithashtu imazhi dhe forca e qytetit për të gjithë tregun kombëtar në produkte që kanë pasur një vend sundues atje. Mobileria, peshku, industria ushqimore në disa produkte veçanërisht të spikatur si recelrat, turshitë, verërat, etj., duhet të kthehen në vendin e tyre të nderit.

+++

Por asnjë projekt madhor nuk mund të vihet në jetë nëse nuk ka një vullnet të mirë vendimmarrjeje. A mjaton vendimmarrja politike në nivel qendror ? Ajo duhet, sigurisht, madje në shumë drejtime është e pashmangëshme dhe me pasoja pozitive, por ka kufizimet e veta. Sepse është e politizuar, është në nivelin e influencave të lobive që mbase nuk kanë plane ambicioze për Pogradecin, dhe nuk dihet sesi i vendos prioritetet.
Lobitë e tjera mund të ndodhi dhe ndodh të kenë më shumë influencë sesa lobitë pogradecare mbi politikat e qeverrisjes qendrore. Edhe poqese një ditë vjen një kryeministër pogradecar, sa do të qendrojë ai në pushtet ? Ja katër, ja tetë vjet. Po pastaj ?
E njejta gjë edhe në nivel lokal. Vendimmarrja në nivel këshilli bashkiak sigurisht është legjitime, por edhe ajo ka kufizime e veta nëse nuk shoqërohet, mbështetet, plotësohet me kontrollin dhe pjesëmarrjen qytetare. Qytetari vepron me anë të votës, por edhe nuk mund të konsiderohet e mjaftueshme një votë një herë në tre ose katër vjetë dhe pastaj pushtetet publike të bëjnë si të duan.
Vendimmarrja qytetare ka vend të jetë organizuar në grupe presioni. Kryetari i bashkisë në dekadat që vijnë nëse dëshiron të jetë na lartësinë e rolit dhe besimit që i kanë dhënë, kushdoqoftë, ai ose ata, e ka të domosdoshme të kërkojë një vendimmarrje të koncertuar, pra në bashkëpunim me lobitë e aktorëve lokalë që kontribuojnë në zhvillimet e ardhëshme.
Dhe këtu janë katër lobi të rëndësishme që ka vend të organizohen dhe të bashkëveprojnë :
Së pari, shoqata e hotelierëve dhe operatorëve turistikë.
Së dyti, shoqata e agrobiznesit dhe e industrisë ushqimore.
Së treti, shoqata e banorëve që kanë apartamente dytësore, por që nuk kanë të drejtë vote për pushtetin lokal, pkanë potenciale idesh, vlerash, njohjesh, dhe përbëjnë kontributorë për qytetin e tyre.
Së katërti shoqata e pogradecarëve emigrantë, kudo në botë, apo nëpër Shqipëri, që kanë interes për zhvillimin e qytetit të tyre, dhe ndofta edhe më shumë mjete për të kontribuar për të mirën e tij.
Të gjitha këto në bashkëpunim me shoqatat e qytetarëve pogradecarë. Vendimmarja e pushtetit lokal është në ditë të hallit. Prej andej në qytetet tona është përjashtuar qytetari. Në fakt, duhet të legjitimohet që asnjë vendim këshilli bashkiak nuk mund të vihet në ekzekutim nëse për të nuk është marrë mendimi i shoqatave të aktorëve socialë që veprojnë në atë fushë. Aq më pak mund të konsiderohet praktisht si legjitim nëse këto shoqata janë kundër në parim. Kjo të konsiderohet veto.
Mbi të gjitha në nivelin lokal kërkohet një politikë e drejtë në përdorimin e taksave të mbledhura dhe të tatimeve si nga ana e pushtetit qendror ashtu edhe nga bashkitë. Nuk mundet që një sipërmarrës turistik ta zemë të paguajë tatime dhe taksa dhe të mos shohi ndikimin pozitiv të kontributit të tij drejtpërdrejt mbi biznesin e tij. Kontributi për komunitetin është njëra anë, ndërkohë pasojat mbi biznesin e tij nuk mund të injorohen. Cfarë kuptimi që një operator turistik ta zemë paguan tatime dhe taksa dhe të mos ketë të drejtë që një përqindje e caktuar e tyre në marrëveshje me të, të riinvestohen në forma të ndryshme në të mirë të lidhur drejtpërdrejt me biznesin e tij. Tatime ose taksa të mbledhura mund të shkojnë në rregullimin përshembull të rrugëve të qytetit, por nuk ka kuptim që pikërisht rruga pranë taksapaguesit të madh të jetë në gjendje të mjerueshme. Kjo politikë vjelje dhe përdorimi i buxheteve do të ishte e padrejtë. Apo me taksat që paguan të pastrohet qyteti, dhe të mos mblidhen dhe menaxhohen plehrat ose të mos urbanizohet mjedisi rreth e rrotull sipërmarrjes të tij !
Por, Pogradeci ka nevojë për një investim të madh që të ketë një impakt ndofta prej katër ose pesë dekadash mbi qytetin dhe rrethinat e tij në kthimin e tyre në një pol të madh turistik dhe ekonomik për vendin por edhe për Ballkanin. Ne duhet të konkurrojmë në ekselencë. Ku do të gjendet ky buxhet ? Nuk shoh që buxheti i shtetit të jetë kthyer nga ajo anë sepse edhe nuk i ka mundësitë. Nuk shoh që banka private të huaja apo shqiptare në nivel agjencish lokale të kenë fuqi ta financojnë këtë projekt madhor të shekullit në atë zonë. Nuk shoh as fuqi nga ana e operatorëve financiarë dhe ekonomikë vendas. Të gjitha këto forca po të mblidhen do të kërkonin një kohë e mund të gjatë dhe nuk dihej nëse do ja dilnin dot.
Duhet me qenë realist kur ëndërron.
Por një hua e madhe me afat shlyerje prej disa dekadash, pe interesa të leverdisshme, negociuar me ndonjë nga bankat që financojnë projekete strategjike në Europë dhe në botë, duke vendosur si mortgage pasuri që nuk mungojnë në zonën që flasim, mund të ishte një dalje e mirë financiare në një oqean shpresash dhe zhvillimesh madhore.
Duket se iluzion, por guximtarët fitojnë në këtë botë, të tjerët janë shërbëtorë të tyre.

Advertisements

Rreth PASQYRIMI

Ky portal është për ty! Për ty i nderuar lexues, që informimin e ke edhe edukim, për ta kuptuar botën ku jeton dhe për të zgjedhur formën më të mirë në të jetuarit e saj. Ne nuk pajtohemi që media të degradojë në atë pikë ku informimi i pambështetur në asnjë parim etik sjell çedukim. Kjo ndodh kur informimi shndërrohet si qëllim në vetvete, pa pyetur për pasoja. Nuk parapëlqejmë të bëjmë më të lehtën gjë, duke e thënë me fjalë se synojmë vërtetësinë e akullt, drejtësinë e pakushtëzuar, dhe etikën e detyruar, por më të vështirën, të cilën ne e besojmë: që dhe lajmi i mirë, është lajm i mirë!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Gusht 17, 2018 nga te Reportazh dhe etiketuar me , , , , , , , , .
//pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js (adsbygoogle = window.adsbygoogle || []).push({ google_ad_client: "ca-pub-9659915589375155", enable_page_level_ads: true });

Rreth nesh

Pasqyrimi.com është një portal i pavarur, jo qeveritar, jo politik, i krijuar me vullnet të lirë.


©All Right Reserved ©2016-2017, Pasqyrimi.com
Këtë e pëlqejnë %d blogues: