Gjendja e artit sot dhe një “rekuiem”


Nga Arianit Bezhani

Nuk ka qoshe në vendin tonë ku nuk shfaqen dhe përpiqen të vihen në dukje “vepra” të përfunduara të artit. Askush nuk ka mundur dot t’i shpëtojë këtij “shpërthimi” që mbas viteve 2000 ka arritur të dominojë dhe dëmtojë kujtesën kolektive mbi natyrën dhe konceptin tradicional për artin. Pothuajse të gjithë sot e kanë të vështirë të përkufizojnë dimesionet e një artisti të vërtetë vlerësuar mbi bazën e një zhanri apo vepre artistike. 
Kontributin për zhvillimin e artit nuk mund të japin të gjithë në një shoqëri por të gjithë duhet të jenë të shqetësuar kur ‘art’ krijohet nga të gjithë. Si shumë gjëra të tjera që kanë shkuar keq në vendin tonë edhe arti nuk bën përjashtim. Në fushën për të cilën edhe Niçe e kishte të vështirë të diskutonte ne nuk duket se hezitojmë, madje pa e menduar dy herë vetquhemi artista!
Sot arti në Shqipëri shihet si alternativë punësimi nëse ngelesh pa punë. Kjo filozofi dhe ky projeksion për artin është më shumë se sa dëshpërues dhe qesharak njëkohësisht, duke treguar në këtë mënyrë mediokritetin dhe katandisjen institucionale që ka prekur mbrojtjen e standarteve për zhvillimin e artin, dhe ka “pushkatuar” potencialin e vërtetë artkrijues në Shqipëri për pothuajse 3 dekada tashmë.
Ajo që haset sot në vendit tonë në rastet më inkurajuese janë përpjekjet për të “krijuar art” në rrethe të ngushta shoqërore, nga njerëz apo grupime njerëzish që ose vijnë nga një traditë familjare në arte ose kanë studjuar në institucione prestigjoze të kulturës ndërkombëtare. Në anën tjetër injoranca dhe klijentelizmi institucional që nga vitit 1944 i shprehur në forma të ndryshme jo vetëm që nuk e ka zhvillluar dhe stimuluar më tej trashgimninë e pasur të artit “shqipëtar,” por vëzhguar nga një optikë hulumtuese ka dëmtuar në mënyrë të rrezikshme zhvillimin e mëtejshëm të identitetit tonë kombëtar.
Ne sot gjendemi në kushtet e një emergjence kombëtare gjykuar mbi bazën e qasjes që kemi në përgjithësi si shoqëri mbi artin dhe gjuhën. Gjuha Shqipe merret zvarrë çdo ditë në qindra e mijëra dokumenta ku e zeza mbi të bardhë është dëshmi e këtij turpi aqsa institucional por edhe shoqëror. Arti fusha e dimesioneve të shumta që mbart në vetvete forcën e perfektes dhe dëshmon për lashtësinë e një shoqërie ndodhet në një hall edhe më të madh atë të tjetërsimit esencial.
Arti i krijuar dhe zhvilluar në një shoqëri nuk mund të ekzistojë në funksion të asaj shoqërie pa përfshirjen e elementëve kulturorë dhe traditës kombëtare. A është duke ndodhur kjo gjë sot në Shqipëri? A mundet të thotë dikush nëse ndojnë nga qeveritë e pas 90-ës ka zhvilluar projekte konkrete afatgjata të mbështetura mbi individë, familje, institucione të cilat kanë bërë historië e artit dhe kanë dhuntitë, forcën dhe idetë për ta çuar përpara atë? A është shoqëria jonë e zhvilluar sa duhet dhe garantuese e moslejimit të degradimit të artit në një kohë kur shteti nuk është? Këto pyetje dhe shumë të tjera lindin natyrshëm sot në këto kohë ndryshimesh të vrullshme të artit në vendin tonë. 
Po nga ana tjetër shumëkush me të drejtë mund të pohojë se arti nuk mund të jetë pronë e askujt, madje as e krijuesit të tij. Ai krijohet  për të rrëzuar barriera dhe jo për të ndërtuar, ai flet gjuhën e njerëzimit dhe nuk mbart ngjyra flamujsh. Ai nuk kufizohet në hapësirë dhe kohë pasi mesazhi i tij është universalizmi, dhe aq më pak nga të gjitha arti nuk mund të gjykohet. Thënë këto, pse duhet atëhere të diskutohet për artin kur ai nuk mund të gjykohet por vetëm mund të paragjykohet?!
Është me të vërtetë marrëzi të përpiqesh të analizosh dhe të dalësh në konkluzione për artin, sepse arti vetëm mund të ndjehet.  Ai ka forcën të jetë aq personal dhe intim sa e bën çdo individ të shoqërisë të reagojë në bazë të ndjesive personale për gjendjen e tij. Dhe kur vjen puna tek arti i sotëm në vendin tonë ai është thellësisht pa ndjejë, nuk zhvillon erotizëm personal dhe natyrisht nuk transmeton mesazh. Ky është shqetësimi i shumë prej nesh sot; artin nuk na përfaqëson dhe ne nuk përfaqësohemi nga ky lloj arti! A është kjo një ndjesi kombëtare e përbërë nga shuma e ndjesive personale? Kjo është tema dhe ky është debati i madh që duhet zhvilluar patjetër në Shqipëri.
E shkuara jonë e lavdishme e denjë për “epos” ka qenë e tillë sepse arti në tërësi ka qenë i zhvilluar në mënyrë të lavdishme përgjatë të gjithë historisë. Edhe pse shpesh herë kemi qenë në kushtet e shfarosjes populli ynë ka ditur të krijojë dhe zhvillojë artin si forcë primare të rezistencës. Ndryshe nga ato periudha dhe shumë më ndryshe nga ato rrethana arti sot ndoshta gjendjen në pikën e tij më të ulët dhe mbart në vetvete rrezikun më të madh në raport me të ardhmen e shoqërisë tonë.
Nëse gjendja e artit ne vendin tonë do vazhdojnë të përcjellë këto ndjesi dhe emocione tek shumica prej nesh. Nëse qeverisjet do vazhdojnë të dëmtojnë artin me veprimet apo me mosveprimet e tyre. Nëse mbi të gjitha shoqëria nuk do t’i japë artit vendin që i takon dhe nuk do ta mbrojë artin ashtu siç i takon të mbrohet, atëhere në të ardhmen jo të largët në “Kishë” do të mbahet një “meshë,” pra një “rekuiem,” për fundin e paevitueshëm të një shoqërie homogjene që dallohej për artin e mrekullueshëm që krijonte./Pasqyrimi.com

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
search previous next tag category expand menu location phone mail time cart zoom edit close