Arsyet pse Elbasani duhej të ishte kryeqytet i Shqipërisë


Krahas Tiranës, Vlorës e Durrësit, qyteti i Elbasanit ka qenë një nga kandidatët kryesorë për t’u shpallur kryeqytet i vendit. Pozicioni gjeografik, në qendër të Shqipërisë, dialekti gjuhësor që bashkonte toskë e gegë, niveli i arsimimit e favorizonin për të qenë kryeqendra e vendit. Në vitin 1923 në gazetën “Elbasani” do të botohej një editorial, ku jepeshin arsyet pse Elbasani meritonte të ishte kryeqyteti i Shqipërisë.
“Të shofim pra nashti, kush nga qytetet e Shqipërisë, mund t’i përmbushi këto kondita. Korça, një nga qytetet ma të bukur të Shqipniës me kulturë, me godina të bukra e me klimë të shëndoshë, por, në një kand të Shqipniës e fare afër kufinit si të Greqisë ashtu edhe të Jugosllaviës, nuk mund të bahet kryeqytet.
Gjith ashtu edhe Shkodra, nuk mund të bahet kryeqytet sa e madhe dhe e bukur q’asht, me godina të mdha, me klimë e kulture të shëndosh, nga shkaku se ndodhet në kandin tjetër të Shqipniës dhe afër kufinit të Jugosllaviës, me përjashtim të inondasionevet të shpeshta që ndodhin për ç’do vitë në Shkodër pas ndonjë shiu të randë.
Vlona e Durrsi, si qytete në buzë të detit, numërohen qytete afër kufinit të gjithë botës e gjinden në rrezik, dhe qytete të vegjël, pa godina e pa ujë me një klimë fort të dobët e malarike.
Tirana në një vend me të vërtet të bukur, mund të zgjanohet nga të mund, por, pa ujë si për të pimë ashtu edhe për pastrim e kanalizim të tepricavet e ndytsinavet.
Elbasani nga nj’anë, me gjith që sot për sot, nuk ka si qytetet e sipërmenduna, godinat e nevojshme, për t’u vendosë zyrat e duhuna, të cilat në rast nevoje, mund të plotësohen së gjithash në një mot e sipër, por, m’anë tjetër përmbledhë gjith virtutat tjera të nevojshme për një Kryeqytet, në pikpamje topografike, morale, shoqnore, politike, strategjike, gjuhsore, shëndetsore e arhitekturore. Elbasani piksëpari gjindet në mjedis e në kërthizët të Shqipniës. Në kohën e okupasionit austriak ishte “trait d’union i” Shqipniës së Veriut e të Jugës. Nga kufijt po thuej se gjindet në vogëlsiën e Shqipniës mjaft larg. Populli mbrenda në qytet, asht në një shkallë kulture q’ë e meriton t’jetë e të quhet banorë i Kryeqytetit. Popullsia e rretheve të’ tij, asht shum e squët, e urtë, e shoqnueshme e patriotike, si me qenë banorë qyteti. Në kohët e fundit, në trazimet e Dhetorit të 1921 e të Marsit 1922, e ka treguë me vepra vullndetarisht dashunin e vetë, me përkrahjen q’i ka dhanë Shtetit e konstitucionit, me arëm në dorë, në shië e në bore, tue sakrifikue edhe jetën e vetë, në mënyrë që pa qenë të detyruëm ushtarjsht, i ranë mbrapa Shtetit e konstitusionit, kurse banorët e Tiranës e të rrethevet të saj, në mos u rrebeluën e në mos u gëzuën, të pakën bashin sehir për shkeljen e kontituëionit, e rrëzimin e në qeverije, e cila legalisht, ishte vendosun prej Parlamentit.
Elbasani në pikpamje kulturale, s’asht edhe fort larg, me krahasim të Shkodrës e të Korçës, dhe ka shpresa të mdha jo vetëm t’ja mrrië, por edhe t’ja kaloj këtyneve, mbassi sot-për-sot ka 70 e sa studenta në për shkollat e ndryshme t’ Austriës e të Gjermaniës me t’ hollat e veta (përveç një pakicë të vogël që janë bursist të Shtetit) në mënyrë qi vërtetohen gjith sa i këndon vjershëtori: “Elbasan qytet i bukur/Në kërthizë të Shqipniës/Bijt e tua porsi flutur/Rrokën librat e ditniës”
Elbasani në pikpamje gjuhsore asht i vetmi qytet, i cili sikundër e lidhë politikisht Shqipniën e veriut me atë të Jugës, ashtu edhe me gjuhë lidhë këto dy pjesë, në mënyrë që dialekti i Elbasanit, asht “trait d’union-i” i dialektevet të Gegniës e të Toskëniës. Për këte arsye në kohën e Turqiës më 1909, Kongresi Arsimuër u mblodhë n’Elbasan, dhe vendosi hapjen e Shkollës Normale t’atëhershme po këtu n’Elbasan, e cila prej asij kohe, ishte Instituti ma i nalt i Rilindjes Kombëtare. Gjithashtu po për këtë arsye, Komisioni Arsimuër në kohën e okupasionit Austriak, patë pranuë dialektin e Elbasanit, si për gjuhë zyrtare të Shqipniës. Nashti së voni, edhe Ministrija e Arsimit që prej vitit 1920, po këtë dialekt ka pranuë e pëdoruë gjer më sot, si për gjuhë zyrtare të Shtetit.
Në pikpamje topografike, Elbasani ka nji asij pozite, që me kohë tue lanë me nj’anë qytetin e vjetër (të sotshmin), të shtrihet përsipër qytetit, në për kodrat e ç’do drejtimi, ose në të dy buzët e Shkuminit, që kështu me shum arsyë të quhet Kryeqytet i Gegniës dhe i Tosqëniës. Përjashta qytetit ndodhen shum vende të bukura pitoreske e romantike për villa e për banime verore shum të shëndetshme e me bukurië natural ekstarordinare.
Në pikpamje shëndetsore, Elbasani asht i vetmi qytet i Shqipniës që meriton për Kryeqytet. Ka ujë për të pimë me shumicë, i cili rrjedhe prej nji burimit të kulluëm si argjanti, e që kryen plotsisht nevojat e një Kryeqyteti të banuëm prej ma se 100000 frymësh. Mjafton që ky ujë, i cili buron dy orë larg qytetit, t’i epet një kompanije, e cila me një sistem modern, passi t’a depozitoj, t’a sjelli në qytet me një kanal që të sigurohet mos trazimi me ujnat e shiut e tjera, dhe ashtu mund të përndahet, në ç’do shtëpië të qytetit në nji naltësië, sa t’i duhet sejcilit. M’anë tjetër, ujnat e lmenjvet të vegjël si të Zaranikës e të Mansit, për veç Shkuminit, sigurojnë pastrimin e qytetit me kanalizimin e ndytsinavet, tue i lëshuëm këto në Shkumi, i cili me ujnat e shumta që ka i largon prej qytetit, tue i a dhuruë detit. M’anë tjetër Shkumini, si një lum me ujna të shumta, e me rrymë, ka me i shërbyë Elbasanit si Kryeqytet, tue i dhanë ndriçimin me dritë elektrike, si dhe force motricë për fabrika e industrina të ndryshme. Ma në fund Shkumini po t’i epet një Kompanije, për t’a thelluë e për t’a përmbledhë, bahet i lundrueshëm. Kështu që Elbasani si Kryeqytet mund të ketë përveç vijavet të komunikasionit toksore, por, edhe një vijë për në detë, me anën e Shkuminit.
Sa për në pikpamje arhitekturë, asht i vetmi qytet në Shqipnië që ka burime të pa shterme për landë godinash si për ranën që merret në Shkumi, gurë në Zaranikë e mermerë të punueshëm në Krastë, që sejcila prej ktyne gjindet jo ma larg se nji gjysëm ore prej qytetit. Sa për land të dorës së dytë, edhe këto i ka të bollshme.
Pra, tue u marrun parasyshë gjith këto kondita e cilsiëna që ka Elbasani, të cilat e bajnë me të vërtet të merituëshëm për Krtyeqytet, kujtojmë sigurisht se jo vetëm neve, por, edhe përfaqsuësit e qytetevet tjera të Shqipniës, nuk kanë me ja mohuë të drejtën për me qenë Kryeqytet i Shqipniës.

Editorial në Gazetën “Elbasani”, 1923

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
search previous next tag category expand menu location phone mail time cart zoom edit close