PASQYRIMI

Thjesht, shpejt, bukur, saktë…

Si po tërheq Polonia investitorët europian ?


Ashtu si Castorama apo Whirlpool, disa kompani me seli në Francë po zhvendosin aktivitetet e tyre në Poloni. Një vend ku puna është “e lirë” dhe zë një pozicion strategjik në Europë.

Për disa kompani, në zemër të Kontinentit të Vjetër, Polonia i ngjan një “Eldoradoje” të vërtetë ekonomike. Në javët e fundit, disa prej tyre – me seli në Francë – kanë zgjedhur të zhvendosin aktivitetet e tyre drejt këtij vendi të Europës Lindore, me një popullsi prej 38 milionë banorësh. Të hënën, sindikatat zbuluan se “disa qindra vende pune” do të viheshin në rrezik tek Castorama dhe Brico Depot (grupi Kingfisher) për shkak të rigrupimit të veprimtarive të kontrollit të kontabilitetit dhe menaxhimit të filialeve të grupit britanik, në Krakov, qytet në Jug të Polonisë. Tek Castorama, sindikata “Force ouvrière” e vlerëson “rreth 500” numrin e vendeve të punës të rrezikuara, ndër të cilët “200 deri në 250 vende” janë vende pune në selinë e shoqërisë në Templemars (qytet në veri të Francës).

Disa muaj më parë, ishte Whirlpool e cila pati vëmendjen e medias. Në janar 2017, prodhuesi amerikan i pajisjeve shtëpiake njoftoi se do të mbyllë fabrikën e tij në Amiens (komunë në veri të Francës) në qershor 2018, me qëllim zhvendosjen e prodhimit të makinerive të tharësve të rrobave në Poloni. Në total, janë pak më shumë se 600 vende pune në rrezik.

Shoqëri të tjera si Auchan, Leroy Merlin, Jean Louis David, Promod ose Paul janë gjithashtu të pranishme në Poloni. Sipas të dhënave të Ambasadës Franceze në Poloni, Investimet e Huaja Direkte (IHD) përbëjnë 40% të PBB-së së Polonisë, duke e bërë atë destinacionin e pestë më të madh europian për Investimet e Huaja Direkte në vitin 2016 (pas Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Spanjës). Gjermania (19% e IHD-ve) është investitori direkt kryesor i huaj në Poloni, përpara Shteteve të Bashkuara dhe Francës (rreth 11% secila). Në vitin 2016, IHD krijuan 22,074 vende pune në Poloni, duke e bërë vendin përfituesin e dytë më të madh europian të IHD-ve për sa u përket krijimit të vendeve të punës.

Pse zhvendosen në Poloni?

“Faktori kryesor se pse zhvendosen në Poloni është kostoja diferenciale e punës”, shpjegon Mathieu Plane, ekonomist në Observatorin Francez të Kushteve Ekonomike. Për të justifikuar zhvendosjen e uzinës, Whirlpool sqaroi se zgjedhja u bë për një “prodhim në shkallë më të gjerë në vendet me kosto të ulët të krahut punëtor”. Sipas shifrave të Eurostat për vitin 2016, kostoja e orëve të punës në Poloni është 4 herë më e ulët se në Francë (shih grafikun më poshtë). Në vende të tjera të Europës Lindore, si Hungaria apo Rumania, kostoja e punës është edhe më e ulët. Për më tepër, “polakët kanë një nivel të mirë prodhimtarie, edhe pse ajo është dy herë më e ulët se në Francë, si dhe një nivel të mirë kualifikimi”, thotë Mathieu Plane. Faktori i dytë lidhet me pozicionin gjeografik strategjik të Polonisë në zemër të Europës, afër Gjermanisë. Një mundësi për të eksportuar në vazhdimësi në të gjithë Kontinentin e Vjetër.

Sipas një raporti të vitit 2010 të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, në Francë, “zhvendosjet do të shpjegonin midis 10% dhe 20% zvogëlimin e fuqisë punëtore industriale midis 1995 dhe 2001”. Kujtojmë se, midis 1980 dhe 2007, kontributi i industrisë në pasurinë kombëtare ra nga 24% në 14%. Gjatë kësaj periudhe, industria humbi 1,913,500 vende pune (duke zbritur në 3,414,000), një rënie prej 36% e fuqisë punëtore të saj. Përveç zhvendosjes, deindustrializimi është i lidhur me procesin global të drejtimit të ekonomisë tek shërbimet (ekonomi terciare). Mathieu Plane citon rritjen e fitimeve të prodhimtarisë në industri, zhvendosjen e disa aktiviteteve drejt shërbimeve dhe rritjen e standardit të jetesës, të shoqëruar me një rritje të kërkesës për shërbime.

Edhe pse nuk kemi një “hartë të zhvendosjeve” të atyre që largohen nga Franca, ne e dimë se, së pari, këto lëvizje janë “ndëreuropiane”. Sipas shifrave të Institutit Kombëtar të Statistikave dhe Studimeve Ekonomike në Francë, INSEE, ndërmjet 2009 dhe 2011, 4.2% e kompanive me 50 ose më shumë punonjës zhvendosën së paku një aktivitet. Midis kompanive që u zhvendosën në këtë periudhë, 55% e tyre u zhvendos drejt Bashkimit Europian (shih grafikun më poshtë): 38% drejt 15 shteteve pjesë e Bashkimit Europian në periudhën 1995-2004 (Europa e të pesëmbëdhjetëve EU15) dhe 22% në shtetet e reja anëtare. Në grafik, shuma e përmasave është më e madhe se 100%, sepse një kompani mundi të zhvendosej në disa vende.

Kjo pyetje ishte në qendër të debatit midis Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen, lidhur me rastin e Whirlpool, gjatë zgjedhjeve presidenciale. Ndërsa Marine Le Pen propozoi “një taksë prej 35% mbi produktet e zhvendosura”, në mënyrë që kompanitë që zhvendosen të mos riimportojnë prodhimet e tyre në Francë, Emmanuel Macron shpjegonte se nuk kishte një “zgjidhje mrekulli për globalizimin”. Për të luftuar kundër deindustrializimit, kreu i shtetit parapëlqen të mbështetet tek formimet profesionale – për të cilin janë ndarë 15 miliardë euro – për të lejuar “blerjen e aftësive nga ata që kanë nevojë më së shumti”.

“Europa përfshin lëvizjen e lirë të mallrave dhe kapitalit. Ne nuk mund të taksojmë importet nga vendet e tjera europiane”, shpjegon Mathieu Plane. Ekonomisti, megjithatë, citon mjetet në dispozicion të politikanëve, duke përfshirë dekretin e Montebourg – në të cilin ai ishte këshilltar – mbi “investimet strategjike”. Dekreti i vitit 2014 përcakton sektorët ku investimi i huaj i nënshtrohet autorizimit të shtetit (Mbrojtja, armët, uji, shëndeti, energjia, transporti, telekomunikacioni …).

Meqenëse ndalimi i zhvendosjeve është i pamundur, Mathieu Plane beson se “pyetjet që lindin kanë të bëjnë me politikën tonë industriale”. Ekonomisti përmend në mënyrë të veçantë ngritjen e sipërmarrjes (që është suksesi i industrisë gjermane), kërkimin, zhvillimin dhe taksimin, duke përfshirë ndihmën për sektorët që janë subjekt i konkurrencës ndërkombëtare. Element i fundit që mund të ngadalësojë zhvendosjen “ndëreuropiane” është: konvergjenca europiane në aspektin e kostove të punës. Kjo e fundit është rritur me të vërtetë në Poloni, dy herë më shpejt se në Francë në dhjetë vitet e fundit./monitor

Advertisements

Rreth PASQYRIMI

Ky portal është për ty! Për ty i nderuar lexues, që informimin e ke edhe edukim, për ta kuptuar botën ku jeton dhe për të zgjedhur formën më të mirë në të jetuarit e saj. Ne nuk pajtohemi që media të degradojë në atë pikë ku informimi i pambështetur në asnjë parim etik sjell çedukim. Kjo ndodh kur informimi shndërrohet si qëllim në vetvete, pa pyetur për pasoja. Nuk parapëlqejmë të bëjmë më të lehtën gjë, duke e thënë me fjalë se synojmë vërtetësinë e akullt, drejtësinë e pakushtëzuar, dhe etikën e detyruar, por më të vështirën, të cilën ne e besojmë: që dhe lajmi i mirë, është lajm i mirë!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Dhjetor 10, 2017 nga te Speciale dhe etiketuar me , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: