PASQYRIMI

Thjesht, shpejt, bukur, saktë…

Kur natyra hakmerret!


 Nga Monika Shoshori Stafa

30 nëntor 2017

Tri ditët e fundit Shqipëria është e zhytur në ujë nga moti i rënduar me reshje të mëdha të shiut. Situata është problematike në të gjithë vendin. Përmbytjet masive traumatizuan jo vetëm popullsinë që pësoi egërsinë e natyrës, por të gjithë vendin. Haraçi për t’u paguar ndoshta është më shumë se një e treta e buxhetit vjetor. Menjëherë qeveria ka premtuar se do të zhdëmtojë të gjitha familjet e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit. Gjatë mbledhjes së Komitetit të Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile, kryeministri Edi Rama kërkoi nga ministrat dhe nga organet e tyre që të angazhohen me seriozitetin maksimal për të bërë gati faturën e dëmeve dhe më pas për të nisur sa më parë procesin e kompensimit të familjeve, që janë dëmtuar nga reshjet e shiut e që sollën përmbytje në disa zona të vendit. Dhe njëherësh duhen përgatitur analizat për të avancuar më tutje me një program të qartë, që është në fakt vijimi i punës nisur dy vjet më parë – tha Rama, sepse këto përmbytje nuk janë njëherë në 100 vjet, por tani, mesa duket janë pjesë e jetës sonë të përvitshme apo përdy-trevitshme.

31 janar 2015

Shqipëria Jugperëndimore përjetoi një prej përmbytjeve më të mëdha të dekadave të fundit. Reshjet e shiut vazhduan për rreth një javë dhe shkaktuan një rritje të papritur të nivelit të ujit përgjatë rrjedhës së Vjosës, Drinit, Osumit dhe Gjanicës, me një situatë më të rënduar në zonat e Vlorës dhe Fierit. Fatkeqësia natyrore rrënoi e shkatërroi mijëra hektarë toka, mori me vete mijëra krerë bagëti e fundosi qindra banesa. Banorët, kryesisht fermerë me varkat e tyre “biblike”, në shumicën e rasteve nuk ia dalën dot mbanë të shpëtojnë gjënë e gjallë që i ushqente. Për ta, gjithçka ishte dërrmuese, për të tjerët, shifrat u dukën tronditëse. Të prekur rëndë nga kjo situatë e pandodhur më parë, banorët shpjegonin gjatë një bashkëbisedimi me ta se edhe për bagëtitë e mbetura gjallë ishte e vështirë sigurimi i ushqimit. Historitë e tyre personale hapën faqet e para të mediave të huaja. Gjatë atyre javëve të ftohta të dimrit, shtëpitë e mbi tre mijë fëmijëve u përmbytën. Por veç frikës dhe pasigurisë, një pjesë e madhe përballej atë kohë përmbytjesh edhe me mungesën në ushqime, rroba dhe shtëpi të ftohta e të lagështa. Shqipëria në zona të caktuara ishte përmbytur. Nuk do të mjaftonin vetëm ndihmat e shpejta të ditëve dhe netëve të vështira, por duhej marrë përsipër dhe çuar deri në fund një plan i plotë kthimi në normalitet, me synimin jo vetëm për të riparuar dëmet e shkaktuara në familjet e të gjithë kësaj zone, por edhe për të marrë masa konkrete përmes një programi investimesh në infrastrukturë. Atë kohë autoritetet u kërkuan ndihmë emergjente partnerëve ndërkombëtarë. Raporti i Vlerësimit të Nevojave pas Përmbytjeve u prezantua në muajin prill të 2015. Ai identifikonte dhe vlerësonte nevojat për sektorët më kyç të prekur nga përmbytjet. Por situata e krijuar nuk ishte thjesht pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, por kryesisht e degradimit mjedisor, mungesës së menaxhimit të duhur të ujëmbledhësve, mungesës së vlerësimit të rrezikut në përdorimin e tokës dhe vendbanimeve si dhe dobësive sociale në rajonet e prekura. Delegacioni i BE-së në Shqipëri siguroi financimin e 6 milionë eurove për realizimin e këtyre veprave. UNDP mori përsipër realizimin konkret të tyre, duke kontribuar me 300.000 euro. Në atë projekt, Bashkimi Europian u angazhua shumë seriozisht për të identifikuar të gjitha dëmet dhe për të mbështetur një financim të konsiderueshëm në aspektin e rindërtimit, por me standarde tërësisht të reja të infrastrukturës si në zonat e Armenit, të Bishtit të Malit dhe Selenicë-Armen; në zonat Horë dhe Kallarat, Vranisht; në zonën Ceprat, Risili dhe Ceprat-Dheu i Bardhë; në zonat Bishan, Mifol Fitore dhe Novoselë; në zonat e Çervës; në zonat e Mashkullorës, Palokastrës dhe Shtupezit; në zonat e Gerhotit dhe në urën e Valaresë; në zonat e Vashtëmisë e po ashtu në Lagunën e Nartës në Akërni.

Janar-shkurt 2010

Për më shumë se një muaj rresht reshjet e shiut shkaktuan një muaj përmbytje masive në veriperëndim të vendit, e cila traumatizoi jo vetëm popullsinë që pësoi egërsinë e natyrës, por të gjithë vendin. Atë kohë u tha se haraçi për t’u paguar ishte gati sa një e treta e buxhetit vjetor. Shteti duhet të marrte jo më pak se 300 milionë euro borxh dhe njëherësh duhet të nxirrte në shitje gjithë pasurinë e mbetur publike, me përjashtim të digave të hidrocentraleve. Por hakmarrja e kaskadës së Drinit nuk mbaroi me aq. Përmbytja në veri ishte vetëm njëra prej pamjeve të hakmarrjes së natyrës. Dhe duke qenë se ishte më e madhja, bëri që të harrohen edhe shumë plagë të tjera. Në rrjedhën e Semanit dhe madje edhe të përroit të Gjanicës me javë e muaj gjendeshin të përmbytura dhjetëra shtëpi. Përmbytja preku edhe disa fshatra krejt në thellësi të vendit, në Tepelenë. U egërsua edhe diga e hidrocentralit të Banjës dhe alarmi u shtri mbi gjithë Dumrenë, madje thuhej se në rast të një situate të rënduar edhe Gramshi mund të përmbytej. Sikur të mos mjaftonte rreziku që vjen prej lumenjve, ja ku vijnë rend e rend të tjera shkatërrime: për shkak të galerive të minierave, për shkak të ndërtimeve pa rregull, për shkak të trilleve individuale në sjelljen me natyrën.

Anamneza e problemit

Shqipëria nuk mban, Shqipëria ndërton e rrëzon. Shqipëria rrëshqet në fushë e në mal, në rrugët kombëtare dhe në rrugët dytësore, në vepra publike dhe në ato private dhe të gjitha këto duken se krijojnë vetvetiu bindjen e frikshme se në këtë vend gjithçka është aksidentale. Si të thuash, je me fat nëse nuk del lumi nga shtrati të të marrë shtëpinë, je me fat nëse nuk shembet faqja e malit dhe të të zërë brenda në tunel, je me fat nëse nën themelet e shtëpisë tënde nuk gjendet një galeri miniere, je me fat nëse aty pranë teje nuk gjendet një repart i paligjshëm dezaktivizimi të municioneve, je me fat nëse në malin përballë nuk gjendet ndonjë tunel i hershëm municionesh, je me fat nëse nisesh dhe kthehesh shëndoshë.

Në të vërtetë, ajo që po ndodh nuk është diçka që lidhet me fatin dhe me rastësinë. Shqiptarët e kanë përgatitur vetë këtë hakmarrje. Sidomos në dy dekadat e fundme. Nuk është çështja se nuk qenkan në funksion një portë shkarkimi, disa hidrovore të vjetër, argjinaturat po aq të moçme, një urë apo një kanal. Natyra hakmerret nga shpërfillja e ligjeve të saj, nga shfrytëzimi barbar pa menduar për brezin tjetër, nga shkatërrimi i atyre që quhen raporte bazë të ekosistemeve të qëndrueshëm. Nuk është çështje edukimi mjedisor, as iluminizmi intelektual. Ekosistemet shkatërrohen për shkak të strategjive politike të shfrytëzimit të resurseve natyrore. Sa herë që këto ekosisteme janë prekur pa respektuar ligjet që rregullojnë qëndrueshmërinë e marrëdhënieve njeri-natyrë, hakmarrja ka qenë e rëndë. Dy herë është përmbytur Shkodra gjatë periudhës osmane, pikërisht për shkak të ndërhyrjes në regjimin natyror të ujërave, sepse qytetit i duhej shtuar një mulli: herën e parë sepse u devijua më shumë ujë prej Drinit plak në Drinasë dhe herën e dytë se u devijua derdhja e përroit të Kirit. Mund të përfytyrohet lehtësisht tashmë se në ç’shkallë janë shkatërruar ekosistemet gjatë dy dekadave të fundme. Natyra shqiptare është trajtuar sikur të ishte e armikut. Nuk ka mbetur lumë pa u mbjellë me fabrika prodhimesh ndërtimi, nuk ekziston ende një hartë e plotë e vendeve të depozitimit të municioneve masive në periudhën totalitare, në më shumë se dy dekadat e fundit janë shkatërruar edhe parqet kombëtare të vendeve më piktoreske të Shqipërisë dhe mbi të gjitha është shembur edhe bashkëjetesa e njeriut me mjedisin: më shumë se një e treta e popullsisë gjendet tashmë në Tiranë e Durrës, një e treta gjendet në mërgim dhe vetëm një e treta ka mbetur në prapatokën shqiptare. E çuditshme si natyra ende nuk është hakmarrë me ndonjë epidemi masive në qytetet e mbipopulluara, për shkak të pamundësisë së urbanizimit.

Po pse ka ndodhur e gjitha kjo? Sigurisht, jo se në tekstet shkollore nuk flitet për mëmën natyrë. As se autoritetet nuk e dinë se çfarë po ndodh. Sjellja armiqësore me natyrën dhe me burimet e saj po ndodh pikërisht sepse të gjithë, kush ka një mundësi për ta përdorur, sillen me natyrën njësoj si silleshin të njëjtët dikur me pronën e përbashkët, pronë e askujt. Ky është thelbi: natyra gati-gati nuk është cilësuar një trashëgimi komuniste, ajo është pronë e askujt dhe gjithkush ka të drejtë të hapë kanalin e vet, të ndërtojë galerinë e vet, të shembë shkëmbin e vet, të presë pyllin e vet, të ndalojë lumin e vet.

Në të gjithë botën ekosistemet themelore njeri-natyrë janë cenuar. Al Gore, zëvendëspresident i SHBA-ve për dy mandate, do të mbahet mend më shumë si fitues i çmimit Nobel me dokumentarin kushtuar fatit të globit në kushtet e tejshfrytëzimit dhe të papërgjegjësisë për të ardhmen, shprehur në rrezikun e mbingrohjes globale, të shkrirjes së akullnajave, të hakmarrjes së pritshme të natyrës. Dhe Shqipëria nuk është një ishull që mund të ketë fat më vete larg këtij rreziku. Sepse bota e sotme është kthyer në një “little village”, ku ndikimet përcillen shumë shpejt jo vetëm atje ku rreziku është gjeografikisht afër, por edhe në distancë. Mirëpo sot për sot Shqipëria po rrëshqet jo për një të keqe që i vjen nga rruzulli i sëmurë. Ajo po rrëshqet, sepse po ia bën të keqen vetes. Nuk është puna se pjesa më e madhe e pasurive natyrore janë të mbarueshme dhe çfarë do t’i mbetet brezit tjetër. Kjo do të ishte e keqja më e vogël. Më e madhja e keqe është në mendësinë njerëzore, të trajtimit të natyrës si pronë kolektive komuniste. Dhe ç’mund të pritet në një situatë të tillë? Lumi, tunelet, digat, nëntoka, bregdeti, nuk mund të sillen me të mirë me shfrytëzuesit e vet, kur këta sillen me to me egërsi primitive, jo industriale, me vetëdije shfrytëzimi. Në romanin “Viti i mbrapshtë” I. Kadare e përshkruan dhimbjen e një populli të dalë në pavarësi, që nuk e gëzon dot lirinë e vet, me vargjet:

Shqipëri, pse shkrin,

Shqipëri, pse s’mban,

Si lulja në prill,

Si bora në maj!

 Shkrimtari e shoqëron këtë poezi, të cilën e paraqet si një dhimbje popullore, me imazhin tronditës të hartës së Shqipërisë në duart e fuqive të mëdha, që janë gati ta copëtojnë me gërshërë sipas eko-interesave të tyre. Sot nuk janë fuqitë e mëdha që rrezikojnë që Shqipëria të mos mbajë. Sot është vetëm një fuqi e madhe që rrezikon: hakmarrja e merituar e mëmës natyrë./gsh

Advertisements

Rreth PASQYRIMI

Ky portal është për ty! Për ty i nderuar lexues, që informimin e ke edhe edukim, për ta kuptuar botën ku jeton dhe për të zgjedhur formën më të mirë në të jetuarit e saj. Ne nuk pajtohemi që media të degradojë në atë pikë ku informimi i pambështetur në asnjë parim etik sjell çedukim. Kjo ndodh kur informimi shndërrohet si qëllim në vetvete, pa pyetur për pasoja. Nuk parapëlqejmë të bëjmë më të lehtën gjë, duke e thënë me fjalë se synojmë vërtetësinë e akullt, drejtësinë e pakushtëzuar, dhe etikën e detyruar, por më të vështirën, të cilën ne e besojmë: që dhe lajmi i mirë, është lajm i mirë!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Dhjetor 4, 2017 nga te Opinion dhe etiketuar me , .
//pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js (adsbygoogle = window.adsbygoogle || []).push({ google_ad_client: "ca-pub-9659915589375155", enable_page_level_ads: true });

Rreth nesh

Pasqyrimi.com është një portal i pavarur, jo qeveritar, jo politik, i krijuar me vullnet të lirë.


©All Right Reserved ©2016-2017, Pasqyrimi.com
Këtë e pëlqejnë %d blogues: