Historia tragjike nga Lenia e Gramshit, 75 vjet në kërkim të…


75 vjet

Fshati Lenie në Gramsh

Nga Besim DYBELI

75 vjet në kërkim të gjyshit

Tetë fëmijë do të rriteshin jetimë, e si për ironi të fatit, do të vdisnin pa i ditur as varrin babait të tyre.

60 nipër e mbesa janë rritur me krenarinë e gjyshit, pa e njohur atë as në fotografi.

60 stërnipër e stërmbesa pyesin brezin paraardhës për historinë e trishtë të stërgjyshit të tyre, pasi për të,  ende flet një krahinë e tërë.

Historia tragjike zë fill në fshatin e thëllë malor, Lenie të rrethit të Gramshit, ku 75 vjet më parë një çetë partizane do të pushkatonte pa gjyq një partizan.

Paradoksi i kohës shënon rrjedhën groteste. Tre, nga tetë fëmijët e të pushkatuarit, dolën partizanë në vend të babait të vrarë nga shokët e vet partizanë.

Rreth 40 vjet më pas, kjo familje do të shpallej “armike e pushtetit popullor”.

Historia

Mesdimri i acartë i vitit 1942 do të shënonte gurin kalenderik për familjen Ibro në fshatin Lenie të Gramshit.

75 vite do të shkruanin në heshtje për ‘shkëlqimin dhe rënien’ e fisit, Ibro, në malet e Lenies.

Çeta e vogël e Zvarishtit nga Korça, kishte zbritur në fshat bashkë me agimin e të premtes të vitit 1942.

Komandanti i saj, Rrahman Zvarishti, kishte kohë që kërkonte bashkëvuajtësin, Bano Ibro.

Si antizogistë të burgosur në burgun e Korçës, ende nuk dihet pse ishin grindur, por për Rrahmanin duket se kishte ardhur dita e hakmarrjes.

Bano i përgjigjet kërkesës së Zvarishtit për tu bashkuar të dyja çetat në një, pa e ditur se pabesia do t’i merrte jetën.

Buzëmbrëmja Banon e zë në qafën e Kuretës, pikërisht aty ku afro 20 vjet më parë, forcat serbe do t’i vrisnin babanë, Bidon.

Partizanët e çetës së Zvarishtit do ta lidhin  këmbë e duar dhe më pas do të zbatonin urdhërin e komnadantit të çetës.

Rrahman Zvarishti dha urdhër të pushkatohej për shkakun se gjoja, “Bano nuk kish pranuar të bashkëpunonte me çertën partizane !”.

Një krismë pushke u dëgjua në fund të shkëmbit të qafës së Kuretës. Aty ra, aty mbeti. Askush nuk guxoi qoftë dhe një fjalë të vetme për vendndodhjen e kufomës.

Bashkë me këtë të fundit, sikur u tret edhe kujtesa e të gjithë atyre që dinin apo ishin bashkëkohës të kësaj ngjarjeje. Prit me ditë e prit me muaj, por Bano Ibro nuk u kthye në fshat.

Prit ndër vite bashkëshortja e tij, Asija, por as një zë apo gjurmë. Jeta e saj u vërvit monopateve të maleve të Lenies për të rritur tetë jetimë me të shoqin e vrarë kush e di se ku!

Pa kaluar ende të shtatat e zhdukjes së Bano Ibros, në shtëpinë e tij në krye të fshatit, ja beh sërish çeta e Rrahman Zvarishtit.

“ Na fal , – i thanë. Burri juaj është vrarë gabimisht. Lufta ka nevojë për shtimin e radhëve partizane”.

Në të ngrysur , tre djemtë e Asijes iu bashkuan çetës së Zvarishtit për të qëndruar aty gjer në agimin e lirisë…

Kërkon flori, gjen eshtrat e partizanit të pushkatuar

Dashamir Lalollari sapo ishte kthyer nga emigracioni në shtetin grek. Nuk i kishte ecur.

Më shumë pa punë, se me punë. Ndaj mendoi të realizonte një ëndërr për gjetjen e floririt. E njihte mirë terrenin në fshatin e tij, Dobërçan.

Pas dy orësh kërkimesh, një sinjal në pajisjen e tij i tërhoqi vëmendjen. Hodhi sytë lart nga shkëmbi qindra metërsh, teksa dielli ishte gati në të perënduar.

Aty ku dëgjohej sinjali akustik, nisi të lëvizë me duar ca gurë përzier me dhera  mes myshqesh.

Sikur ngriu në vend, kur sytë i pikasën një skelet njeriu të lidhur me tela. E kishte dëgjuar historinë tragjike të humbjes së Bano Ibros, 75 vjet më pare:

“Unë e dija historinë  tragjike dhe menjëherë lajmërova familjarët e tij, pasi isha i bindur, se tjetërkush nuk mund të ishte i dekompozuar në fundin e këtij shkëmbi”- ka pohuar Dashamiri.

Nipërit e tij kanë ardhur me shpejtësi. Në kafkën e kokës kanë pikasur një vrimë plumbi.

“Po , me një plumb pas koke e vranë atë pasdite  dhjetori të vitit 1942 dhe e di mirë që urdhërin e dha  Rrahman Zvarishti , si shenjë hakmarrjeje të një zënke që kishte patur me Banon, kur ishin në burgun e Korçës”- ka pohuar , Ismail Myftaraj, dëshmitar okular kur Bano Ibron e mori çeta e Zvarishtit për ta pushkatuar. – Më vonë , – shton Myftaraj , kam mësuar se edhe Rrahman Zvarishtin e pushkatuan për tradhëti ndaj idealeve komuniste.

Në foto: Dashamir Lalollari, njeriu që gjeti eshtrat

Lumturi në ceremoninën e varrimit

Për shumëkënd, mund të duket paradoksale që të ndjehesh “i lumturuar” në një ceremoni mortore.

Realisht, kështu ka ndodhur teksa bëhej varrimi i Bano Ibros në fshatin Lenie të Gramshit. I tërë fshati qe mbledhur aty në kodrinën e varrezave të reja.

Nipërit, stërnipërit, të afërmit e Bano Ibros e kalonin shifrën njëqind, të ardhur shumica nga  rrethe të vendit.

“Gjer më 1974-n , ishim të ingranuar në tërë jetën social-politike të  zonës e në shumë rrethe “- pohon nip i tij, Kapllan Xhandolli, një oficer karriere, që diktatura e përplasi ku ishte rrethi më i largët dhe puna më e rëndë.

“Më pas , -shton ai , – u shpallëm të gjithë armiq dhe u përsekutuam rëndë për afro 25 vjet. Paradoksi  mbetet i thjeshtë për t’u kuptuar. Familja dhe fisi u nderuar e u vlersua, se Bano Ibro u pushkatuar aksidentalisht dhe se tre djemtë e tij dolën partizanë fill pas pushkatimit të të atit.

Në foto: Dëshmitari

Më vonë një letër anonime ndryshoi biografinë.

“Bano Ibro është pushkatuar në çetën partizane!” 

Kaq duhej dhe pasardhësit e Banos dhe fëmijve të tij, të vuanin të ‘’zitë e ullirit‘’gjer në ardhjen e demokracisë.

Këto pjesëza kujtimesh të trishta  dialogoheshin pas ritit të varrimit të eshtrave. Të gjithë të qetë e të qeshur.

Një gëzim i tillë përgjatë një ceremonie mortore përligjej me ankthin e pritjes së gjetjes së eshtrave për rrëth 75 vjet.

Njeriu që e gjeti, Dashamir  Lalollari, tashmë u cilësua nga familjarët e të afërmit e të martirëzuarit, miku më i afërt.

Ndërsa, varri i tij u stërmbush me tufa me lule, në një lokal të improvizuar të fshatit, familjarët organizuan  drekën e fundit patriotit Bano Ibro. Drekë mortore i thënçin!

Për nga gëzimi se gjyshi dhe stërgjyshi tashmë e kishte një varr, banketi, vetëm nga mungesa e një orkestre, ndryshonte nga një ceremoni gëzimi.

Të gjithë, tashmë ndjehen  të qetë. I qetë prehet edhe shpirti i Bano Ibros, për 75 vjet pa namë e nishan…lajmshqip

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
search previous next tag category expand menu location phone mail time cart zoom edit close