PASQYRIMI

Thjesht, shpejt, bukur, saktë…

Mos e bëni të duket si hall


image

Nga Mero Baze

Presioni i fortë ndërkombëtar për të çuar para drejtësisë, “peshqit e mëdhenj”, ka rritur pritshmërinë që në Shqipëri të ketë më në fund procese gjyqësore që të përballin politikanë të lartë me drejtësinë. Fill pas kësaj, dy blloqet opozitare, PD dhe LSI, lajmëruan një aksion të përbashkët, që e lidhin me protesta popullore dhe thirrje për mosbindje civile. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe.

Por më tej, ata që elaborojnë aksionin dhe përpiqen të shpjegojnë atë, kanë kërkesa dhe fjalor të tillë, që të duket sikur opozita nuk është e gëzuar, por është në hall me këtë që ndodh.

Kështu, një nga personat që në publik shfaqet si këshilltar i presidentit të Republikës, Ilir Kulla (nuk e di në është zyrtarisht, por formalisht po) e shpjegon deklaratën e ambasadorit amerikan si joserioze dhe tërheq vërejtjen, që nuk duhet të përsëritet më. Nuk ka gjë të keqe të jesh kundër ambasadorit amerikan, por në këtë rast, duke qenë aq ngjitur me Presidentin, duket se po e paraqet si problem presioni ndërkombëtar mbi shtetin shqiptar, vënien para drejtësisë të politikanëve të korruptuar, dhe jo si favor të Perëndimit për shtetin shqiptar.

E njëjta gjë, biles pak më e rëndë dhe qesharake njëkohësisht, ngjan kërkesa zyrtare e 7 deputetëve të PD drejtuar Ilir Metës, për të deklasifikuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Presidencë, mbledhur me kërkesë të Ilir Metës, për t’u distancuar nga Klement Balili.

Nuk e di çfarë ka për të deklasifikuar nga pikëpamja ligjore ajo mbledhje, por nëse ka diçka për drejtësinë, natyrisht Prokuroria mund ta përdorë. E vetmja gjë që vlen për t’u bërë publike, është përdorimi politik. Nuk di çfarë mund të jetë thënë në atë mbledhje, që ta ketë publikisht në favor sot opozita, më shumë se sa fakti, që Ilir Meta nuk ka lidhje me Balilët. Çdo gjë tjetër është më pak e dobishme se kjo për opozitën.

Gjërat më të rënda që mund të dëmtojnë Saimir Tahirin, tashmë janë publike. Është publik fakti se ai është përfolur nga trafikantët që kanë bërë trafik droge, duke përdorur pushtetin e tij. Shtoi dhe filmin e fundit hollivudian me para dhe patenta skiperi, dhe nuk besoj se ka ndonjë gjë tjetër më shumë për ta rënduar Saimir Tahirin, sidomos kur bëhet fjalë për një fjalim zyrtar të tij. Ai është sot njeriu më i përndjekur publikisht, më keq se në komunizëm, dhe më fatkeqi ndër politikanët.

I vetmi shpjegim pse opozita kërkon të bëhen publike diskutimet aty, është ndoshta të bëhet publik fjalimi i Ilir Metës që nuk ka lidhje me Balilin, pas pretendimeve të tij, se ambasadori Donald Lu, kishte raportuar në Uashington, se ata ishin të afërt. Por edhe kjo më shumë se sa sulm, është përpjekje për t’u mbrojtur. E zëmë se të gjithë u bindëm se Balilët nuk kanë lidhje me LSI, por kjo nuk frymëzon askënd në Shqipëri.

Të gjitha reagimet e opozitës pas thirrjeve të diplomatëve Perëndimorë, i ngjajnë një përpjekje për t’u mobilizuar për t’u mbrojtur. Dikush tregon me gisht se “peshku i madh” është Tahiri, dikush se është Rama, dikush i kërkon llogari Donald Lu se ai i di “peshqit”, po nuk tregon, dikush i përmend Vlahutinit se ka blerë zyra të shtrenjta  etj. Të gjitha këto detaje, tregojnë se opozita po bëhet bashkë si e zënë në hall nga këto që ndodhin dhe jo si në një ditë të mirë të saj.

Thirrjet për revolta, përmbysje, mosnjohje institucionesh etj, janë thjesht retorikë që të vrasin veshin. E vetmja gjë që vlen është të kuptohet nëse opozita e shikon këtë fazë të re të betejës së drejtësisë me politikën, si shans të saj, apo si hall të saj.

Siç po vepron, po e bëjnë të duket si hall, dhe kjo nuk është mirë, pasi ç’mobilizon të vetët. Populli opozitar, nuk është se e ndjen njësoj si Basha, Kryemadhi apo Mediu këtë histori. Ata e dinë vërtet se liderët e tyre, duhet të jenë të gëzuar që qeveria është bërë pis nga droga./ TemA

Advertisements

Rreth PASQYRIMI

Ky portal është për ty! Për ty i nderuar lexues, që informimin e ke edhe edukim, për ta kuptuar botën ku jeton dhe për të zgjedhur formën më të mirë në të jetuarit e saj. Ne nuk pajtohemi që media të degradojë në atë pikë ku informimi i pambështetur në asnjë parim etik sjell çedukim. Kjo ndodh kur informimi shndërrohet si qëllim në vetvete, pa pyetur për pasoja. Nuk parapëlqejmë të bëjmë më të lehtën gjë, duke e thënë me fjalë se synojmë vërtetësinë e akullt, drejtësinë e pakushtëzuar, dhe etikën e detyruar, por më të vështirën, të cilën ne e besojmë: që dhe lajmi i mirë, është lajm i mirë!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 9, 2017 nga te Opinion dhe etiketuar me , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: