PASQYRIMI

Thjesht, shpejt, bukur, saktë…

Misteret e Kishës së Shën Andout


​*Nga Olsjan TOPALLI*

 

Kisha e Laçit  ose siç njihet ndryshe edhe ndërkombtarisht  Kisha e Shën Andout është cilësuar ndër ato kulte fetare ”çudibërës” por e stërmbushur  me mistere të shumta. Çdo hap që hedh në atë pjese toke, të duket sikur ecen mbi ato mistere, sikur udhëton sëbashku me to…

Gjatë një biesede një mik më pati thënë:

“Në Kishën e Laçit hyri një djalë i ri i paralizuar në karrocë dhe kur doli nga kisha, ai u ngrit në këmbë. Mrekullia dhe fryma e shenjtë ndodhen brenda asaj kishe me fuqi natyrore”.

Po ashtu shumë fjalë qarkullojnë për misteret e kësaj kishe. Në vitin 1981, një grup ushtarësh nga toga e Drojës në Laç shkuan për të rrëzuar pjesën e mbetur të rrethimit në Kishën e “Shën Andout”. Për herë të parë, shembja kishte ndodhur në vitin 1967, kohë kur shteti komunist i asaj kohe i shpalli luftë besimit fetar. Edhe pse një pjesë e godinës ishte shembur pjesërisht, besimtarët gjatë viteve shkonin ende, gjë që për regjimin ishte një shqetësim. Për këtë motiv, ushtarët morën urdhër të asgjësonin muret, në mënyrë që askujt të mos i shkonte në mend për të bërë pelegrinazh. Pasi rrëzuan një pjesë të rrethimit, toga prej 32 vetash mbeti e paralizuar nga mesi e poshtë në mënyrë të pashpjegueshme. 

Disa ushtarë u dërguan nga pushteti popullor i kohës për kurim në Austri, për 6 muaj, ndërsa të tjerët në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Të gjithë mbetën me pasoja, duke u ngritur në këmbë vetëm pas një trajtimi intensiv të gjatë. Fenomeni mbeti i pashpjegueshëm dhe u vesh me mister. Historia u përhap shpejt në Laç, duke u treguar si diçka mistike. Pushteti i asaj kohe tha se fajin për ngjarjen e pazakontë e kishte ushqimi, si pasojë e një helmimi, po ky fakt nuk u pranua kurrë shkencërisht. Historia është ende e veshur me mister edhe sot e kësaj dite.

UDHËTIMI
Ditë e martë dhe ora shënon diku te 6:00. Zëra njerëzish që dëgjohen lehtë e vrapojnë për në punë. Bori makinash që shkojnë e vijnë. Qepenë dyqanesh që hapen njeri pas tjetrit. Kaos në trafik. Kjo rutina e përditshme që shoqëron çdo ditë kryeqytetin.

Dajti ka marrë një pamje të ngrysur, na paralajmëron kohë të keqe. Ja dhe pikat e para të shiut nisën të bien, e vërshohen vrullshëm nëpër dritaret e pallatave që akoma flenë. Realisht jemi në stinën e vjeshtës, por moti bën lojëra me ne… Herë behët e ngrohtë, e herë ftohtë. Kapriçot e motit këto në kohë pa kohë. 

Pa hezituar nisemi drejt Laçit, qytet ky i cili u bë i njohur prej superfosfatit, apo plehrave të tjerë kimikë ku regjimi synonte të prodhonte gjithçka në vend.

Siç e thonë dhe besimtarët, të martave e do zakoni që të vizitohet kisha, pra, përreth 13 të martave çdo besimtar duhet të vizitojë vendin e shenjtë që lutja ndaj Zotit t’i plotësohet. 

Ndërkohë, që makina çan trafikun përpara, mes nesh ka rënë një qetësi e plotë. Ndoshta kjo se përpara nesh qëndron një vend mistik. Pasi kalojmë disa kilometra nga Tirana, tashmë kemi arritur në Fushë-Krujë, siç e pohon edhe tabela në anë të rrugës.

Rehatinë tonë e prish tek-tuk ndonjë gropë në mes të rrugës, që siç duket nuk është vënë re nga askush, por ata që buzëqeshin më shumë janë serviset anash rrugës, që nxjerrin para nga makinat e dëmtuara nga gropat e shumta.

Pas gropave në rrugë, vëmendjen tonë na e tërheq radio e makinës ku kuvendon zhvillimet e fundit politike dhe skandalet e njëpasnjëshme që po i ndodhin këtij vendi i cili meriton me shumë gjëra të mira nga sa çfarë ka parë.

Pas gati 45 minutash jemi në qendër të Laçit. Ndryshe nga Tirana e madhe, Laçi shikohet i tëri me sy të lirë. Nuk ka pallate shumëkatëshe  as  zhurma besdisëse, nuk ka trafik as boria makinash, ku dhe klima është më e pastër, ndonëse pak më e ftohtë. 

Pas disa metrash nëpër qytet dalim nga qyteti ‘famoz’ e marrim rrugën tatëpjetë për nga kisha. Njerëz kudo…

Të rinj e të reja, fëmijë e të moshuar që kanë marrë rrugën e lodhshme për  t’iu bashkuar pelegrinazhit të gjatë e për të ndezur qiriun e tyre të shenjtë. 

Mesa duket duket shiu që ka rënë nuk përbën problem për këta besimtarë të devotshëm.

Diku në ngjitje automjetit tonë i afrohet Klevi, një djalë rreth 12-të vjeç, që në dorë mban qirinjtë për të shitur. Nuk hezitojmë të blejmë edhe ne qirinjtë tanë, por edhe për t’i bërë punë djaloshit të vogël. Ai këtë ditë e ditë të tjera ka braktisur shkollën për të fituar ato aq pak para për të ndihmuar familjen e tij.

 “Ju ndihmoftë Zoti” – na thotë Klevi i buzëqeshur, duke u larguar nga ne, për të shitur qirinj të tjerë te makinat që vijnë pas nesh.

Makina të shumta kthehen nga kisha, ato siç duket janë ngritur që me natë për t’u lutur në vendin e shenjtë. Në pritje të atyre që vijnë poshtë, ne herë-herë  detyrohemi të ndalojmë për të mos krijuar problem në qarkullimin e mjeteve të tjera.

Përshkojmë dhe metrat e fundit që na kanë mbetur  për të arritur në destinacion. 

Sapo hapim derën, shikohet qartë Kisha e Laçit dhe njerëzit e shumtë që hyjnë e dalin brenda saj. I afrohemi kultit pa hezitim ku psherëtimat e besimtarëve gjenden kudo këtyre anëve.

Pelegrinët që vizitojnë këtë kishë i përkasin të gjitha shtresave, duke përfshirë këtu, politikanë, komunistë, ateistë, besimtarë e kështu me rradhë. Të gjitha ata janë të mirëpritur, edhe pse vijnë me idenë se është një vend magjik, apo që ka fuqi magjike që mund t’i ndihmojë apo mbrojë ata.

Së bashku me grupin bëjmë ritet fetare që na takojnë dhe dalim nga kisha me një frymë tjetër, disi më të lehtësuar, më të kthjellët,  ndoshta diçka e mirë po ndodh me ne. Në dalje të kishës takojmë Simonin, një besimtar i cili gjunjëzohej në altarin e kishës.

“Vij shpesh – na thotë – dhe sa herë që largohem këtej, sikur e ndjej veten më të liruar shpirtërisht dhe fare mirë fizikisht. Besoj shumë, po ashtu edhe familja ime praktikojmë çdo rit fetar”, – ishin fjalët e Simonit, të cilin e lamë pas pa i marrë shumë kohë.

Diku më matanë qëndron Agron Ceiku, ku na thotë :-“Kam disa probleme të vogla shëndetsore për të cilat mjekët nuk po më japin zgjidhje. Kam shpresa të mëdha pas kësaj vizite në këtë kishë. Besoj se ka vetëm një zot, nuk ka rëndësi, musliman, katolik apo çfarëdolloj besimi. Për mua ka vetëm një zot.”

QIRINJTË  DHE SHPELLA SHËN VLASHIT

Ashtu të bashkuar në grup zbresim shkallët dhe i afrohemi vendit ku ndizen qirinjtë. Teksa zbresim shkallët, disa zëra tërheqin vëmendjen tonë, ishin dy burra ku po bisedojnë me njëri-tjetrin.

“Vite më parë këtu në këtë greminë të thellë që shtrihet para nesh, ka rënë një fëmijë ‘memec’ dhe kur ka rënë poshtë në greminë fjala e tij e fundit, por dhe e para ishte ‘mama’”.

Sa e trishtueshme mendova për një çast, ndërkohë që vazhdojmë përpara. Të gjithë po ndezin qirinjtë dhe luten sipër flakës së tyre, ku tymi u përshkon kudo nëpër trup.

Po ashtu edhe ne ndezim qirinjtë e lutemi për personat tonë të dashur. Ashtu mes flakës pa humbur shumë kohë, kthehemi nga ana tjetër dhe shkojmë për nga “Shpella e Shën Vlashit”.  Para nesh në radhë gjenden edhe njerëz të tjerë që futen në shpellë e më pas marrin bekimin e duarve të priftit që qëndron në dalje të shpellës.

Mes tyre vjen radha jonë. Futemi një nga një në shpellë.  Brenda në të bien në sy rroba, fotografi, dhe para të vendosura në të çarat e shkëmbit. Në të dalë të shpellës prifti që qëndron aty, u urdhëron përsëri mirë se ardhjen edhe herë të tjera besimtarëve.
Disi më të çliruar shpirtërisht ngjisim shkallët për në majë, ku na duhet të kthehemi përsëri në kryeqytet.  

E ndërsa ecim, përpara nesh qëndrojnë njerëz plot vuajtje mbi supe, të lodhur, të rraskapitur, të cilët janë ulur buzë rrugës që në mëngjes herët, ku zgjatin duart për t’i ndihmuar sadopak njerëzit, për t’ia bërë më të lehtë jetën. Të prekur thellë shpirtërisht u ofrojmë kontributin tonë, i cili shpresojmë që t’u lehtësojë vërtet sadopak dhembjen dhe vuajtjen shpirtërore që ata kanë.

E teksa po ecim lehtë me trukun e hapave tona të ngadaltë, nuk mund të rrinim pa i dëgjuar dhe fjalët e banorëve vendës, të cilët tregojnë me qindra raste mrekullish:

“Të çmendur që vijnë duke belbëzuar dhe kthehen me kokën ulur për në shtëpi”.

“ Vajza fatpadala që e kanë gjetur njeriun e jetës që porsa kanë zbritur në rrugën kryesore të Laçit”.

“Të tjerë që kanë qenë të shurdhuar e për herë të parë në atë vend kanë dëgjuar tingujt e bukur të jetës”.

Të gjithë siç jemi i afrohemi makinës, rehabilitohemi e më pas nisemi. Largohemi duke lënë pas Kishën e Laçit, atë vend aq hyjnor e të shenjtë, ku dhe ateistin më të madh në botë do ta bënte të ndihej një besimtar i devotshëm. 

Lamë pas Laçin plot me mistere mbushur. 

Lamë pas Laçin me histori të bukura dhe mbresëlënëse që hynë dhe mbetën në memoriet tona, e që I dhanë më tepër gjallëri kësaj vizite./Pasqyrimi.com

Advertisements

Rreth PASQYRIMI

Ky portal është për ty! Për ty i nderuar lexues, që informimin e ke edhe edukim, për ta kuptuar botën ku jeton dhe për të zgjedhur formën më të mirë në të jetuarit e saj. Ne nuk pajtohemi që media të degradojë në atë pikë ku informimi i pambështetur në asnjë parim etik sjell çedukim. Kjo ndodh kur informimi shndërrohet si qëllim në vetvete, pa pyetur për pasoja. Nuk parapëlqejmë të bëjmë më të lehtën gjë, duke e thënë me fjalë se synojmë vërtetësinë e akullt, drejtësinë e pakushtëzuar, dhe etikën e detyruar, por më të vështirën, të cilën ne e besojmë: që dhe lajmi i mirë, është lajm i mirë!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 7, 2017 nga te Reportazh dhe etiketuar me , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: