PASQYRIMI

Thjesht, shpejt, bukur, saktë…

Një burrë i vërtetë mban mirë gruan dhe dashnoren


image

Nga Gerina Mullaj*

Në do të njohësh karakterin e një burri të pushtetshëm, shiko si trajton familjen, por nëse do të njohësh personalitetin e tij shiko si trajton dashnoren. Një burrë i vërtetë i mban të dyja mirë dhe ç’është e vërteta atij s’ka sesi të mos i shkojë mendja se për të qënë në lartësinë që i kërkon intelekti i pushtetit, të mos i duhet një grua e mirë. Por, nga ana tjetër ai nuk është aq budalla sa të mos mendojë se më mirë sesa një grua e mirë janë dy gra të mira, për të cilat ndërgjegja e tij ia lejon vetes të shkelë pak besnikërinë, kur vjen puna për të mbajtur lart vlerat publike.

Se siç ka thënë edhe Groucho Marx, “pas një burri të suksesshëm fshihet gjithmonë një grua e më pas bashkëshortja”. Prandaj i duhen dy gra. Kështu një burri që vesh kostum bojëhiri, plus kravatë ylberi, plus këmishë me iniciale personale e ca këpucë me lidhëse të gjata, i duhen domosdo dy gra, por jo dy vjehrra. Kjo duhet të jetë arsyeja, përse legalizojnë vetëm njërën prej tyre, për të shpëtuar nga vjehrrat.

Njëra duhet për ta veshur, e tjetra për ta zhveshur, ngaqë secili proçes kërkon kohën e mundin e vet dhe një grua e vetme nuk ia del dot. Një grua e vetme lodhet. Prandaj duhen dy gra. Më pas vjen lavdia, por një burrë që ka vëmendjen e gjithë botës s’ka sesi të mos i lejojë vetes luksin e të paturit vëmendjen e dy grave që t’i thonë herë pas here se ai e meriton vërtetë këtë lavdi. Kjo i bën mirë egos së pushtetarit. Mund t’ja thoshte edhe njëra, por ai nuk është aq kaqol sa të besojë se një mendje është më mirë se dy mendje. Një mendje e vetme nuk mund ta bind një njeri që ka potenciale të mëdha. Prandaj, pushtetarit i duhen dy mendje.

Kjo s’do të thotë se nuk e do gruan, ai e do shumë atë, më shumë se gjithë gratë e tjera që rreshton si ushtare në llogoren e tij të pushtetit, por mendjet e vogla e paragjykojnë ngaqë nuk mund të kuptojnë ose më keq akoma nuk duan. Ata nuk shohin madhështinë që fshihet prapa kostumit të këtij njeriu të madh, se të mbash disa gra duhet të jesh i madh në shumë kuptime. Do të thotë të dish të balancosh disa pushtete njëherësh. Ata nuk e kuptojnë se ai nuk tradhëton për ego, as për instikt, as për adrenalinë, por tradhëton në emër të dashurisë që ka për bashkëshorten, se një burrë me integritet s’ka sesi të mos i thotë mendjes që për të mbajtur gjallë dashurinë për gruan duhet ta tradhëtojë nganjëherë atë, për këtë duhet të flijohet ajo tjetra, por për gjërat e mëdha gjithmonë dikush flijohet.

Abrahami desh flijoi të birin për Perëndinë, se edhe dashuria për gruan një lloj Perëndie është, e shenjtë, e pacënueshme, sovrane. Për një njeri publik është e vështirë ta mbajë të shëndetshme këtë dashuri nisur edhe nga tensionet e shumta që duhet të mbajë mbi supe përmes vëmendjes publike, të cilën hiqet se nuk e do, por në të vërtetë netëve para gjumit shtrydh trurin të krijojë mënyra të reja për të patur sa më shumë vemendje, prandaj i duhet gruaja tjetër. Për t’u shkarkuar a ngarkuar, se mbaj mend mirë cila nga këto është. Por, ja që atij i duhen siç i duhen dy makina, dy vila, dy telefona, dy kostume të shtrenjta, dy personalitete, dy fytyra. Nganjëherë ndjehet dyfish tradhëtar, ngaqë ngatërrohet për një çast dhe nuk e ka të qartë kë po tradhëton, gruan apo atë tjetrën që zgjedh të bëhet kurban si dashi ditën e Bajramit.

Ndonjëherë ndjehet keq, ngaqë i duket se po i tradhëton të dyja. Por, kjo trazirë i kalon shpejt, vetëm sa ja fshik vetëdijën, sa i kujton se ndoshta tradhëtia ka pamjen e një korbi të zi, por jo, befas ky imazh zhduket, ai i shkund mendimet kobzeza dhe tradhëtia merr trajtën e një zaneje gushëbardhë që shpëton familjen nga drama e monotonisë. Sekreti i një martese të lumtur nuk është më sekret, është tradhëtia. Prandaj i duhen dy gra, njëra i përkëdhel egon, tjetra i përkëdhel pasionin e fshehur. Njëra i rrit fëmijët, tjetra i rrit dëshirat. Njëra i jep ushqim, ndërsa tjetra e ndihmon të heqë kaloritë e ushqimit, njëra e urtëson dhe e pjek, ndërsa tjetra i kthen rininë dhe marrëzinë, njëra e mençuron, tjetra e le pa mend…

Derisa në fund, siç është rritur e ushqyer mirë ajo tjetra, martirja, flijimi në emër të dashurisë, dashi i Bajramit, e therin, se kështu e do zakoni i tradhëtisë. Se ajo tjetra është prostitutë, ndërsa gruaja murgeshë, tjetra është mishi, gruaja shpirti, tjetra është ëndrra, gruaja realiteti. Prandaj, tjetra duhet të theret, se disa duhet të bien që të lartësohen disa të tjerë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shtator 27, 2017 nga te Opinion dhe etiketuar me , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: