PASQYRIMI

Thjesht, shpejt, bukur, saktë…

Si do të jetë Kosova me Qeverinë e Ramushit?


image

Nga Veton SURROI*

1.

Tri gjëra nuk do të ndodhin gjatë kësaj qeverisjeje.

Kosova nuk do të ketë rritje ekonomike prej 7 për qind. Kjo do të thotë që shteti nuk do të kalojë prej formës së tanishme shërbyese për pushtetin drejt formës së shërbimit për biznesin. Do të thotë edhe që nuk do të ketë vende të reja pune, në mënyrë që popullata e vendit të përgatitet e të garojë për to e jo për punësim shtetëror apo emigrim. Dhe pastaj do të thotë që nuk do të ketë investitorë të jashtëm, përfshi edhe diasporën.

Kosova nuk do të jetë anëtare e OKB-së. Për t’u bërë e tillë, me rregullat e lojës të cilat vetë i ka pranuar, do t’i duhet pëlqimi i Serbisë dhe bekimi i Rusisë. Brenda rregullave të lojës Kosovës i është thënë se Serbia mund të jetë anëtare e BE-së vetëm nëse e njeh Pavarësinë e Kosovës. Brenda kornizave që i ka përcaktuar kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, Serbia mund të ballafaqohet me atë dilemë diku në vitin 2025.

Kosova nuk do të jetë anëtare e NATO-s. Në momentin kur ka pranuar se identiteti i vet shtetëror varet nga vullneti i mirë i Beogradit (nëpërmjet dialogut), Kosova ka pranuar që anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të varet prej dialogut. Paradoksalisht, Kosova ka pranuar që edhe në organizata ku nuk ka zë Beogradi, siç është NATO-ja, të pritet për t’u parë se çdo të prodhojë dialogu me Beogradin. Dhe, paralelisht me Beogradin, Moska ka ndikim të drejtpërdrejtë nëpërmjet rolit të vet për pengimin e shtetësisë së Kosovës: ura e ndarë e Mitrovicës është ofendim i drejtpërdrejtë i Moskës adresuar NATO-s.

2.

Tri gjëra do t’i ndodhin kësaj qeverisjeje.

Mandati katërvjeçar i kësaj Qeverie të Kosovës nuk do të përmbushet. Qeveria ka brishtësi të lartë me përbërjen nga një pakicë shqiptare dhe përfaqësuesve të pakicave etnike, prej të cilëve Lista Serbe është në varësi të drejtpërdrejtë të Beogradit. Kurdo që ta përfundojë mandatin në formë të parakohshme, qoftë në fund të këtij viti apo më vonë, sfida kryesore e Qeverisë nuk do të jetë ndryshimi i gjendjes në Kosovë, por mbijetesa e Qeverisë, dhe kjo shndërrohet pastaj në prioritetin parësor.

Qeveria do të merret me tema të ricikluara pa kontekst të ri politik. Siç ka paralajmëruar në dokumentin e vet qeverisës, ajo do të merret me Demarkacionin me Malin e Zi,me themelimin e Asociacionit të komunave serbe, themelimin e Ushtrisë (FAK) me ligj. Nuk ka ndryshuar asnjë gjë në këto tri fusha që do të mundë të garantonte rezultat tjetër. Pra, Qeveria nuk mund të ndryshojë gjë në vijën e demarkacionit në kontekstin e tanishëm politik në Mal të Zi, Kosovë e botë. Asociacioni i Komunave serbe do të vazhdojë të mbetet kërcënim ndaj rendit kushtetues të Kosovës, çfarëdo të jetë konteksti politik në Kosovë. Dhe Ushtria mund të formohet me ligj nga kjo Qeveri, aq sa ka mundur të formohet nga Qeveria e kaluar. Thirrjet për konsensus politik janë të vonshme dhe nga pozicione të dobëta: presidenti i vendit është simbol i veprimit antikonsensual, ndërsa Qeveria u ndërtua nga forcat e pakicës politike nëpërmjet instrumenteve shantazhuese.

Aleati më i madh i kësaj Qeverie është Gjykata Speciale. Nëse ka ndërmend të veprojë, ajo do të presë që së paku formalisht të ketë konsolidim të Qeverisë për një kohë të shkurtër. Me përjashtim të vetë anëtarëve të Qeverisë, Gjykata Speciale mund të jetë i vetmi faktor që nuk do të dëshironte një mocion mosbesimi sot.

3.

Tri gjëra, pozitive, që priten nga kjo Qeveri kalimtare.

Kjo Qeveri duhet ta zgjidhë Demarkacionin me Malin e Zi deri në fund të këtij viti. Aspekti teknik dhe politik mund të trajtohen pa ndonjë fërkim me Malin e Zi apo bashkësinë ndërkombëtare.

Kjo Qeveri duhet të amortizojë, pra të krijojë rrethana normale politike e të sigurisë, në rast të çfarëdo veprimi të Gjykatës Speciale.

Dhe, kjo Qeveri duhet të krijojë mundësinë që vendi të mos hyjë në formë kaotike në zgjedhjet e parakohshme, kurdo t’u vijë koha.

4.

Këtë tekst e fillova qëllimisht me shifrën 7 të përqindjes së rritjes të GDP-së. Janë edhe aty tri gjëra.

Një, deri më sot nuk ka subjekt politik që këtë ta ketë shndërruar në pikën e vet themelore programore. E partitë politike duhet të fillojmë t’i masim me indikator konkret, siç është rritja e GDP-së, e cila do të thotë më shumë vende pune të krijuara në një ambient shtetëror të favorshëm për biznes.

Dy, shifra prej 7 për qind nuk është përzgjedhje e rastësishme. Është indikatori i kthesës së një shoqërie; vendi i cili ka rritje prej 7 për qind në vit e dyfishon ekonominë e tij pas 10 vjetësh. Vendi si Kosova që ka rritje prej mezi 3 për qind (në kushte të mira) e dyfishon ekonominë e tij pas gati 25 vjetësh. Dallimi është thelbësor: pyetni të gjithë ata që duan të emigrojnë në këtë interval.

Dhe tre, kjo shifër është e nevojshme për shkak të asaj që në shkenca kognitive quhet Ligji i instrumentit apo Ligji i çekanit, i cili thotë përafërsisht se kur si instrument pune ke çekanin çdo problem të duket si gozhdë. Në rastin e Kosovës, prej çlirimit e këtej qeveritë e njëpasnjëshme janë marrë me gozhda (herë të pasurimit vetjak, e herë të problemeve që i kanë krijuar vetë si Asociacioni i komunave serbe), duke e shndërruar veten në çekan. Rritja e GDP-së prej 7 për qind kërkon më shumë se çekanë. (Koha ditore)

* Titulli origjinal: Tri gjëra të kësaj Qeverie

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shtator 22, 2017 nga te Opinion dhe etiketuar me , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: