PASQYRIMI

Thjesht, shpejt, bukur, saktë…

Si po vdes sekularizmi në Turqi


image

Nga Elif Shafak*

Kushdo që ka vizituar qendrën e Ankarasë, kryeqytetit të Turqisë, me siguri ka vënë re një skulpturë prej bronzi të një vajze të re duke lexuar një libër. Një statujë e ideuar dhe realizuar nga artisti, Metin Jurdanur, ajo njihet si Monumenti i të Drejtave të Njeriut dhe libri në dorën e gruas është pikërisht Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Statuja është vendosur aty në vitin 1990, pikërisht në periudhën kur unë isha studente. Në atë kohë ne studentët qëndronim me orë të tëra, të ulur rreth statujës, duke pirë birra e cigare dhe duke dëgjuar muzikë rock, të përzier me zhurmën e zareve dhe gurëve të tavllave të lokaleve dhe çadrave aty pranë. Skena në fakt ishte një përzierje e dy botëve të kundërta; lindjes dhe perëndimit, traditave dhe modernizmit, fesë dhe sekularizmit. Për të huajt kjo skenë mund të ketë qenë paksa konfuze, por ne turqve përgjithësisht nuk na bënte shumë përshtypje. Të qënurit turk, në fakt në një farë mënyrë i justikonte paqartësitë për çështjet e identitetit, gjithsesi. Me kalimin e viteve, monumenti fitoi dhe një reputacion të gjerë politik.

Sa herë që qeveria shtonte valën e presioneve dhe intesifikonte shtypjen ndaj zonave me shumicë kurde të Turqisë dhe u mohonte kurdëve të drejtat e barabarta, përfshirë dhe të drejtën për t’u arsimuar në gjuhën e tyre amëtare, aktivistët kurdë tuboheshin pranë Monumentit të të Drejtave të Njeriut, për të dhënë deklaratat e tyre për mediat. Më vonë të njëjtën gjë do të bënin dhe grupimet e tjera; sekularistët, sektet fetare turke, grupimet për të drejtat e grave, pakicat seksuale – pra çdokush që besonte se rregjimi u mohonte të drejtat e tyre dhe të drejtën e fjalës.

Vitin e kaluar, Monumenti i të Drejtave të Njeriut ka qenë më i popullur se kurrë më parë. Pas tentativës së grushtit të shtetit të korrikut të vitit të kaluar, ku humbën jetën më shumë se 200 persona, një ngjarje që traumatizoi të gjithë kombin, Presidenti Rexhep Tajjip Erdogan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Turqi.

Menjëherë pas tentativës së grushtit të shtetit, në ditët që pasuan, pati një konsensus të gjerë mbarëkombëtar që dëntonte ashpër tentativën e grushtit të shtetit. E majta dhe e djathta unifikuan qëndrimet e tyre dhe dënuan pas asnjë ekuivok tentativën e grushtit të shtetit. Por, harmonia mes palëve nuk zgjati për shumë kohë. Partia për Drejtësisë dhe Zhvillim e Presidentit Erdogan, e njohur si AKP, nisi valë të gjerë spastrimesh. Që nga vera e vitit të kaluar, rreth 150 mijë njerëz janë pushuar nga puna dhe rreth 50 mijë persona janë arrestuar. Masat e marra kanë qenë shumë të ashpra, veçanërisht ato ndaj gazetarëve, shkrimtarëve dhe intelektualëve. Pjesë e këtyre masave ishte dhe mbyllja e mëshumë se 150 mediave, ndërsa wikipedia u bllokua nga autoritetet dhe mbi 150 gazetarë janë arrestuar dhe mbahen në burg pas tentativës së grushtit të shtetit.

 

Akademikët, “krimi” i vetëm i të cilëve ishte nënshkrimi i një peticioni për paqen, janë pushuar nga puna, arrestuar ose denigruar publikisht. Pasi u demonizuan publikisht, tashmë ata e kanë të pamundur të gjejnë një punë në universitetet turke. Dy prej tyre, Mehmet Fatih Tras dhe Mustafa Sadik Akdag, kanë bërë vetëvrasje. Në shtetin e së drejtës, të gjithë janë të pafajshëm sa kohë nuk provohet fajësia e tyre. Por, në Turqi, është e kundërta. Njerëzit me bindje dhe pikëpamje të ndryshme politike, akuzohen pa asnjë provë për krime që nuk i kanë kryer dhe u duhet të provojnë pafajësinë e tyre. I tillë është rasti i gazetës ikonë opozitare, “Cumhuriyet”, redaktorët e të cilës akuzohen se kanë bashkëpunuar me komplotistët e tentativës së grushtit të shtetit – një akuzë që askush nuk e mori seriozisht në fillim. Shtatë pjestarë të stafit të kësaj gazete janë liruar nga burgu, por katër të tjerë, përfshirë gazetarë me emër të tillë si Ahmet Sik dhe Kadri Gyrsel, mbahen ende në burg. Mes qindra njerëzve që kanë organizuar protesta dhe tubime pranë Monumentit të të Drejtave të Njeriut, një rast ka tërhequr vëmendjen mbarëkombëtare. Kur Nuriye Gulmen, një profesore e letërsisë dhe Semih Ëzakça, të cilat jepnin mësim në një shkollë fillore, u pushuan nga puna në mënyrë të paligjshme, ato nisën një grevë urie, duke konsumuar vetëm lëngje me kripë dhe sheqer. Ato menjëherë fituan një mbështetje të gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare. Në maj, policia ndërhyri duke larguar grevistët dhe mbështetësit e tyre, shoqëroi dhjetra mbështetës të tyre dhe bllokoi zonën. Gylmen dhe Ëzakça më pas u arresuan. Policë të veshur civilë, larguan protestuesit gjatë një tubimi në mbështetje të dy mësueseve, Nurije Gylmen dhe Semih Ëzakça, të cilat ishin pushuar nga puna pas tentativës së grushtit të shtetit të korrikut të vitit 2016.

Një fushatë sensibilizuese në mbështetje të grevisteve, me këngë dhe himne, u ndalua nga zyra e guvernatorit të Ankarasë, e cila nuk lejonte që këto aktivitete të zhvilloheshin në orët e vona të pasdites. Trajektorja politike e Turqisë, është një tregues i qartë i brishtësisë së demokracisë turke. Një ekosistem delikat i balancës së kontrollit të pushteteve (check and balance), ka nevojë për një media të lirë dhe një shoqëri civile të vetëdijshme për të mbijetuar. Elita e AKP nën drejtimin e Presidentit Erdogan, gabimisht supozon se të paturit e shumicës së votave të dala nga kutitë e votimit u jep atyre legjitimitetin dhe fuqinë për të bërë çfarë të duan. Në fakt ata nuk e kanë këtë legjitimitet. Votimi është vetëm njëra prej hallkave dhe komponentëvetë një demokracie funksionale.

Demokracia, gjithashtu kërkon një ndarje të qartë të pushteteve, sundimin e ligjit, një media të lirë dhe lirinë akademike. Të gjithë këto elemente tashmë janë inekzistentë në Turqinë e sotme. Nacionalizmi, islamizmi dhe autoritarizmi janë rritur ndjeshëm në Turqi, po ashtu dhe seksizmi. Turqia renditet në vendin e 130-të nga 144 vende, sipas Raportit Global për Barazinë Gjinore të publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror. Ngacmimet seksuale janë shtuar ndjeshëm. Kohët e fundit AKP u përpoq të kalonte një ligj që shmangte dënimin e përdhunuesve, nëse ata martohen me viktikat e tyre. Por, që pas protestave, projektligji u tërhoq. Progresistët në Turqi ndihen tejet të shqetësuar për shkak se mënyra jonë e jetesës tashmë kërcënohet dhe sekularizmi po zhduket në mënyrë sistematike. Rreth një milion nxënës janë rregjistruar në shkollat fetare (imam hatip) – shkolla profesionale të ngritura për të trajnuar imamët dhe për të ofruar një edukim dhe arsimim tërësisht fetar – nga 63 mijë në vitin 2002.

Turqia po bëhet më fetare, më paranojake dhe më e izoluar. Jemi shndërruar në një komb ku mësuesit mund të arrestohen dhe mbahen në burg pa asnjë arsye, ku muzika mund të ndalohet dhe ku intelektualët dhe shkrimtarët mund të akuzohen për përhapjen e mesazheve të padëshuruara dhe më ndikim në shoqëri. Tashmë askush nuk ndihet i sigurtë dhe nuk e di me saktësi nëse gjërat mund të përmirësohen, apo nëse situata mund të përkeqësohet akoma më shumë. Abdikimi i demokracisë së brishtë të Turqisë, tregon se historia jo domosdoshmërisht ecën përpara. Ndonjëherë ajo ecën dhe pas.

*Autore e romanit te famshem “Bastardja e Stambollit (perkthyer ne shqip Ky artikulli është marrë nga World Review: The State of Demokracy

Advertisements

Rreth PASQYRIMI

Ky portal është për ty! Për ty i nderuar lexues, që informimin e ke edhe edukim, për ta kuptuar botën ku jeton dhe për të zgjedhur formën më të mirë në të jetuarit e saj. Ne nuk pajtohemi që media të degradojë në atë pikë ku informimi i pambështetur në asnjë parim etik sjell çedukim. Kjo ndodh kur informimi shndërrohet si qëllim në vetvete, pa pyetur për pasoja. Nuk parapëlqejmë të bëjmë më të lehtën gjë, duke e thënë me fjalë se synojmë vërtetësinë e akullt, drejtësinë e pakushtëzuar, dhe etikën e detyruar, por më të vështirën, të cilën ne e besojmë: që dhe lajmi i mirë, është lajm i mirë!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shtator 21, 2017 nga te Opinion dhe etiketuar me , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: