PASQYRIMI

Thjesht, shpejt, bukur, saktë…

Dr.Mimoza Keta: Infeksionet vaginale dhe masat që duhen ndërmarre


Infeksionet vaginale janë ndër sëmundjet më të zakonshme gjinekologjike tek gratë dhe vajzat. Kjo mund të jetë edhe arsyeja se pse shumë femra i drejtohen mjekut gjinekolog për të bërë analizat gjinekologjike. Në një intervistë për revistën “Shije”, obsestër-gjinekologia Mimoza Keta tregon se cilat janë tipet e infeksioneve infeksionet vaginale, shkaqet e shfaqjes së tyre dhe ajo që është më e rëndësishmja, trajtimin që duhet në mënyrë që ato të mos ripërsëriten.
Mimoza Keta është mjeke obsestër-gjinekologe me një eksperiencë shumëvjeçare. 
Çfarë janë infeksionet vaginale?
Infeksionet vaginale janë infeksione të cilat prekin pjesën e poshtme të aparatit riprodhues, vaginën dhe kolumin. Në qoftë se këto infeksione që kapin vaginën dhe kolumin duke dhënë ato që quhen vaginite dhe cervicite nuk trajtohen ashtu siç duhet, atëherë ato arrijnë të kapin pjesën e sipërme të traktit riprodhues, duke dhënë kështu probleme të tjera të aparatit riprodhues të gruas. Këto probleme përfshijnë abneksitet, parametritet, endometritet dhe biosalpingitet.
Pra, trajtimi i infeksioneve vaginale është domosdoshmëri.
A kanë gratë sekrecione të bardha? Si ndryshojnë këto sekrecione gjatë ciklit menstrual dhe a lidhen këto me infeksionet vaginale?
Cikël menstrual quhet dita e parë e menstruacioneve të para dhe deri në ditën  e parë të menstruacioneve pasardhëse. Ciklet mund të jenë 28 ditore (që janë në shumicën e rasteve), 21 ditore, 25 ditore dhe deri në 34 ditore. Gjatë ditëve të ciklit menstrual, sekrecionet vaginale ndryshojnë në strukturën dhe në konformitetin e tyre. Kjo do të thotë që në ditët e para pas ciklit, dhe në ditët para ciklit sekrecionet bëhen më të trasha dhe më opake. Ndërsa, në ditët midis ciklit bëhen më të holla dhe më të tejdukshme, që korespondon me ditët ovulatore.
Nëse kjo strukturë e sekrecioneve ndryshon, atëherë në këtë rast kemi të bëjmë me praninë e një infeksioni. Infeksionet vaginale janë ato që ndryshojnë sekrecionet vaginale. Çdo grua ka sekrecione vaginale, ndaj nëse ato vënë re se ato ndryshojnë në ngjyrë, në konsistencë, në erë, nëse kanë dhimbje gjatë raporteve seksuale, djegie apo kruarje, pikërisht në këto raste, shpeshherë kjo klinikë i bën gratë që të drejtohen tek mjeku gjinekolog.
Megjithëse ne e kemi thënë gjithmonë, dua ta përsëris edhe nëpërmjet revistës tuaj të nderuar që vizita gjinekologjike duhet të jetë e rregullt për çdo grua, aq më tepër analiza dhe kultura e sekrecioneve vaginale për të vlerësuar gjendjen.
Cilat janë llojet më të zakonshme të infeksioneve vaginale?
Infeksionet vaginale mund të jenë të thjeshta, që nuk transmetohen në rrugë seksuale, dhe infeksione që transmetohen seksualisht.
Cilat janë shkaqet?
Shkaqet e infeksioneve vaginale janë të ndryshme: numri i shtuar i partnerëve, shkuarja me një partner të pakontrolluar, ndryshimet në gjak të nivelit të sheqerit, ndryshimet hormonale në gjak dhe sigurisht mosmbajtja e normës dhe rregullave të higjienës ashtu siç duhet. Shpeshherë gratë që kanë një infeksion vaginal, drejtohen tek ne dhe pyesin: “Po partneri?” , dhe në fakt kjo bëhet edhe shkak i një konflikti.
Pra, disa infeksione mund të transmetohen edhe në rrugë seksuale, por që kryesisht vijnë si rezultat i ndryshimit të pH të vaginës. Për shembull, një nga këto infeksione është kandidoza ose myku. 
Çfarë ndodh konkretisht?
Në ndryshime të caktuara të ciklit menstrual të ditëve të ovulacionet, para apo pas ditëve të ciklit menstrual, ndryshon edhe pH i vaginës. Në këtë mënyrë në vaginë rriten aktualisht disa lloje kërpudhash që janë kandidalbikans, por në një koncetrim shumë të ulët. Në momentin që ndryshon pH i vaginës, është njësoj si lulet në pranverë, ata fillojnë të marrin një mbirritje dhe lulëzojnë, duke dhënë atë sëmundje që quhet Kandidoza vulvovaginale. Ndërkohë, gratë kryejnë marrëdhënie seksuale dhe ky infeksion i transmetohet edhe bashkëshortit/partnerit. Por, kjo mund të ndodhë edhe pas raporteve seksuale.
A ka një grupmoshë që është veçanërisht e prirur të jetë më e ekspozuar ndaj infeksioneve vaginale?
Të gjitha gratë e moshës aktive riprodhuese ndeshen me një infeksion vaginal qoftë edhe një herë në jetën e tyre. Sot, shifrat flasin se 65 deri në 70 për qind e grave mund të jenë paraqitur me infeksione vaginale, që nga më të thjeshtat e deri në infeksionet seksualisht të transmetueshme. Grupmosha që preket më tepër nga një infeksion vaginal që quhet Klamidia prakomatis, një infeksion që paraqitet me sekrecione vaginale të shtuara, në formën e qelbit apo me erë, është ajo nga 18 deri në moshën 23 vjeçare. Janë infeksione të cilat influencojnë më vonë në procesin e riprodhimit, sepse prekin tubat dhe prishet kalueshmëria e duhur e tubave të fallopit në të cilat kalon veza.
Pra, në këtë mënyrë, steriliteti është më i rritur tek këto vajza të cilat e kanë këtë infeksion, që është edhe seksualisht i transmetueshëm.
Është e vështirë të diagnostikohen infeksionet vaginale?
Vizita gjinekologjike është domosdoshmëri për të diagnostikuar infeksionet vaginale. Në laboratorët tanë bëhet edhe një analizë e sekrecioneve vaginale në këtë formë: i japin tamponin vajzës/gruas dhe e drejtojnë për në banjo në mënyrë që ta marrin vetë sekrecionin vaginal. Por, ky tampon takon edhe në lëkurën e trupit dhe jep kështu një infeksion fals.
Prandaj, gjatë vizitës gjinekologjike, është mjeku gjinekolog ai që duhet të marrë kampionin për të bërë analizën dhe kulturën e sekrecioneve vaginale. Sigurisht, një sy i stërvitur shikon edhe për identifikimin e infeksioneve të tjera.
Një përqindje shumë të madhe ka një sëmundje që quhet “vaginoza bakteriale,” e cila shfaqet me rrjedhje sekrecionesh në formë uji, pa ngjyrë, por me një erë të ngjashme me peshkun e prishur. Nuk është infeksion seksualisht i transmetueshëm, por rreth 45 deri në 50 për qind e grave të moshës aktive riprodhuese, paraqesin qoftë dhe një herë në jetën e tyre një infeksion të kësaj natyre.
Cila është lidhja mes marrëdhënive seksuale dhe shanseve për një infeksion vaginal?
Një nga shkaqet e lindjes së infeksioneve janë edhe raportet seksuale të pakontrolluara. Nëse një grua/ vajzë kryen një raport seksual me një partner i cili mund të ketë pasur shumë partnere të tjera më parë, atëherë ato janë shumë të prirura të preken nga një infeksion seksualisht i transmetueshëm. Shpeshherë ka gra që paraqiten me sindromën e clamidias, me sekrecione të gjelbra, me dhimbje në fund të barkut apo e djegie gjatë raporteve seksuale. Kjo shkaktohet nga një bakter që quhet trikomonas. Trikomoniasa është një infeksion seksualisht i transmetueshëm, dhe fatmirësisht meshkujt në këtë rast nuk kanë asnjë lloj shenje.
Çfarë tregojnë infeksionet e shpeshta vaginale tek gratë dhe vajzat, a është një moment për t’u shqetësuar?
Infeksionet e shpeshta në këtë rast ndodhin pasi trajtimet e infeksioneve janë të dyllojshme: trajtimi shfarosës që zhduk infeksionin, por nëse pacientja nuk merr atë që quhet trajtimi parandalues, përsëri ky infeksion do të gjejë kushte që të ripërsëritet. Këto quhen infeksione rekurente, të përsëritura.
Pikërisht, në këto raste janë mjekët gjinekologë që duhet të rekomandojnë marrjen e trajtimit parandalues. Vetëm në këtë mënyrë do të shmanget përsëritja e infeksioneve vaginale.
A rekomandohet të merren antibiotikë për kurimin e infeksioneve vaginale. Cila është zgjidhja e duhur? Çfarë trajtimi duhet të marrin?
Ne rekomandojmë analizën dhe kulturën e sekrecioneve vaginale. Nëse në analizën e sekrecioneve vaginale rezulton një myk, atëherë mund të ndodhë që patjetër të bëhet edhe mykograma, që do të thotë antimykotiku që do të jetë më efikas në trajtimin e gruas. Ndërsa, në qoftë se ka bakterie të tjera si Esheria Koli, Stafilokoku dhe të tjera infeksione, atëherë në këtë rast patjetër që është e domosdoshme që të bëhet antibiograma. Krahas trajtimit lokal, rekomandohet edhe marrja e antibiotikëve oralë, nga goja e cila do të jetë efikase në trajtimin e rastit.
Acidi laktik është një tjetër medikament i përdorur. A mund të jepni mendimin tuaj rreth përdorimit të tij për infeksionet vaginale? A rekomandohet të përdoret ai gjatë shtatzënisë?
Në trajtimin parandalues rekomandohet marrja e medikamenteve të pasura me laktobacile. Kryesisht janë ovula lokale, që përmbajnë laktobacile dhe mbajnë të pandryshuar pH e vaginës. Në qoftë se pH i vaginës do të jetë në normën 4.5, atëherë sigurisht që nuk do të paraqiten infeksione.
Gjatë shtatzënisë ndryshon pH i vaginës si rezultat i ndryshimeve hormonale që ndodhin gjatë shtatzënisë, sepse gjatë kësaj kohe kemi një vërshim të hormoneve. Duke qenë se vërshojnë hormonet, kandidoza është më e mundur për t’u shfaqur, ndaj rekomandohet që në javën e 34-35 ato të bëjnë një kulturë të sekrecioneve vaginale për të vlerësuar gjendjen, për të marrë trajtimin me qëllim që fëmija që do të lindë, të mos ketë mundësinë për t’u infektuar nga këto infeksione.
Cilat janë më të efektshme, trajtimet me përbërës natyralë, apo medikamentet, sipas mendimit tuaj?
Të dyja trajtimet janë të domosdoshme. Megjithatë, sot e gjithë bota ecën drejt trajtimeve natyrale, sepse sigurisht trajtimet me përbërës natyralë janë gjithmonë shumë më të mirë. Por, kjo nuk do të thotë që trajtimet me medikamente mund t’i hedhim poshtë. Në rastet e infeksioneve shumë të rënda, patjetër duhen marrë trajtime medikamentoze.
Po tamponët, a mund të përdoren në rast se infeksioni vaginal nuk është shëruar ende?
Tamponët vagialë nuk rekomandohen të përdoren. Zakonisht,  tamponët vaginalë janë edhe një nga shkaqet e shfaqjes së infeksioneve vaginale. Duke u grumbulluar sekrecionet dhe duke mos dalë jashtë, sepse vagina ka cilësinë e vetëpastrimit, normalisht i krijon një mundësi të ndryshimit të pH të vaginës dhe të marrë një mbirritje të baktereve që ndodhen në një koncentrim shumë të ulët në vaginë.
Si mund të parandalohet një infeksion vaginal?
Masat për të parandaluar një infeksion vaginal konsistojnë në disa pika: shkoni me partnerë të konstrolluar; qëndrojini besnikë bashkëshortëve; mbani normat e higjienës personale; përdorni masa mbrojtëse, sepse prezervativi është është ndër masat mbrojtëse më të këshilluara.
Çfarë duhet të bëjnë pacientet në rast se simptomat e infeksionit shfaqen edhe pas trajtimit?
E vetmja gjë që ato duhet të bëjnë, është të marrin trajtimin parandalues.
A ndikon përdorimi i produkteve të tilla aromatike si shampo, sapun, pastrues higjienik tek shfaqja e këtyre infeksioneve, apo ndoshta edhe janë pengesë për trajtimin e tyre?
Shpeshherë duke përdorur shampot apo shpëlarësit vaginalë, ujin me sodë, ujin me kamomil apo përdorimin e dusheve vaginale, mund të përkeqësoni akoma më shumë infeksionet. Ndaj, në ditët e sotme ato nuk janë të rekomanduara. Kjo, sepse të gjitha këto krijojnë ato që quhen vaginite kimike, që janë shumë vështirë për t’u trajtuar. Zakonisht, rekomandohet të përdoren shpëlarësit ekstra vaginalë, por gjithmonë të jenë të kontrolluara nga ana farmaceutike.
Asnjëherë nuk duhen përdorur dushet vaginalë. Dikur ishin shumë të rekomanduara, por sot jo.
A mund të jenë të lidhura infeksionet vaginale me shfaqjen e problemeve të tjera shëndetësore?
Infeksionet vaginale janë të lidhura edhe me shfaqjen e probleme të tjera shëndetësore si Sifilizi (në fazën e parë), i cili në fazën e dytë fillon të japë një dobësim të gjithë organizmit, humbet imuniteti tek pacientet, në fazën e tretë ai krijon atë që quhet kardiosifiliz (zemrën), apo cerebrosifiliz (trurin). Kjo, mund të sjellë edhe vdekjen.
Ka infeksione seksualisht të transmetueshme siç është edhe infeksioni genital që shkaktohet nga Clamidia Prakomadis, që mbyll tubat dhe bëhet pengesë për riprodhimin, ose bëhet shkak që veza e fekonduar vendoset në tub duke dhënë shtatzëninë jashtë mitre. Në qoftë se ajo shpërthen, bëhet një minë me sahat dhe rrezikon jetën e nënës. Prandaj, është shumë i rëndësishëm periodiciteti i vizitave gjinekologjike.
Drejtohuni tek mjeku gjinekologë sa më shpesh të mundeni, ose së paku një herë në gjashtë muaj. Kjo do t’ju shpëtojë nga çdo infeksion që ju mund të keni.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Gusht 30, 2017 nga te Life Style dhe etiketuar me , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: