PASQYRIMI

Thjesht, shpejt, bukur, saktë…

12 fjalë që shkruhen gabim


Gjuhëtarët dhe akademikët tanë tërheqin vëmendjen vazhdimisht për kujdes në mirëshkrimin dhe mirëshqiptimin e shqipes, e cila, për fat të keq, vijon të mbetet në tranzicion.

Më poshtë, janë renditur vetëm 12 fjalë që i përdorim çdo ditë, por që shpesh pësojnë deformim në drejtshqiptim dhe drejtshkrim.

Shkruhet: gjithëçka ose gjithshka

Duhet: gjithçka

Ë-ja fundore e fjalës “gjithë” bie në fjalët e përngjitura, si: gjithçka, gjithherë, gjithçmos, gjithfarë, gjithkah, gjithkund, gjithkush, gjithmbarë, i gjithmbarshëm, gjithmonë, gjithnjë, gjithsaherë, gjithsecili, gjithsesi etj.

Shkruhet: agjensi

Duhet: agjenci

Fjalët e huaja nga burimi latin e neolatin me c do të shkruhen me c e jo me s. Po ashtu, fjalët me burim grek a latin, që kanë një g përpara zanoreve i dhe e, shkruhen me gj (dhe jo me xh) ashtu si shqiptohen; p.sh.: agjenci, gjeografi, gjeometri, gjeneratë, gjenezë, gjimnastikë, higjienë, origjinë etj.

Shkruhet: djath

Duhet: djathë

Shkruhet ë-ja fundore tek emrat mashkullorë dhe shumica e emrave mashkullorë që përdoren edhe si asnjanës: atë, burrë, djalë, gjalmë, gjumë, kalë, lëmë, lumë; ballë (balli, ballët), brumë (brumi, brumët), djathë (djathi, djathët), drithë, drithëra, dyllë, dhallë, dhjamë, gjalpë, mjaltë, ujë, ujëra etj.;

Shkruhet: marrdhënie, mardhënie, marrëdhënje

Duhet: marrëdhënie

Emrat femërorë foljorë me prapashtesën -je e ruajnë j-në në trajtën e pashquar dhe të shquar të njëjësit dhe të shumësit; p.sh.: ardhje, derdhje, dalje, lidhje, marrje, mbështetje, pritje, shitje, tretje etj.

Por ku bashkohet j-ja me n-në, do të shkruhen nie dhe jo nje; p.sh.: dhënie, marrëdhënie, parathënie, etj. Kështu do të shkruhet edhe gie dhe jo gje djegie (e jo djegje), shmangie, lagie etj. Me j do të shkruhen edhe emrat femërorë me -ije dhe -ijë, në të cilët j-ja i përket temës së fjalës dhe ndihet kudo; p.sh.: anije, anija, anijeje; fije, fija; shije, shija; bijë, bija; mijë, mija; vijë, vija, fëmijë, fëmija, fëmijët a fëmi, fëmija, etj.

Shkruhet: Lagja

Duhet: Lagjja

Shpjegimi në rastin e lagjes është si marrëdhënie.

Shkruhet: çertifikatë

Duhet: certifikatë

Në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, fjalët me burim nga latinishtja apo nga gjuhët romane, si edhe nga greqishtja, të cilat në gjuhën shqipe kanë një c të ndjekur nga zanorja e ose i, shkruhen me c dhe jo me ç apo me s: celebrim, celular, centralist, centralizoj, certifikatë, procedurë, proces, etj.

Shkruhet: e dielë

Duhet: e diel (pa ë-fundore)

Nuk shkruhet ë-ja fundore tek të gjithë emrat, tek të cilët grupi i zanoreve ie ndiqet nga një bashkëtingëIlore e lëngët (l, ll, r) dhe të gjitha fjalët e formuara prej tyre: e diel, diell, miell, qiell, etj.; diellor, përmiell, miellzim, qiellor, etj.;

Shkruhet: Digjitalizim

Duhet: Dixhitalizim

Dixhitalizim është fjalë e re në fjalorin e shqipes dhe ka krijuar konfuzion, por duhet të shkruhet me “xh” dhe jo me “gj”, sipas rregullit të drejtshkrimit të shqipes, që fjalët e huaja shkruhen ashtu siç shqiptohen.

Shkruhet: vënd

Duhet: vend

Së bashku me qendër – jo qëndër, mendje jo mëndje; fle jo flë. Shkruhen me e (dhe jo me ë) fjalët ku kjo zanore është e theksuar dhe ndiqet ose ka qenë ndjekur në të kaluarën nga një bashkëtingëIlore hundore (m, n, nj).

Shkruhet: Mirësevini!

Duhet: Mirë se vini!

Mirë se erdhe! Mirë se vjen! Mirë se rrini! Mirë se ju gjeta! Mirë ardhsh! Mirë vafsh! Mirë mbetsh! Qofsh mirë! Ju bëftë mirë!”, shkruhen ndaras, jo bashkë.

Shkruhet: Qera

Duhet: Qira

Shumë njerëz e dinë se trajta e duhur është qera, madje është qesharake edhe kur korrigjojnë të tjerët kur e përdorin në të folur apo në të shkruar qira. Në fakt, kjo fjalë shkruhet me i dhe jo me e.

Shkruhet: sërisht

Duhet: sërish

Sërish hyn në grupin e atyrë fjalëve, të cilave u shtohen “bishta”, si, p.sh., thuhet Yzberisht, në vend të Yzberish apo garazhd, në vend të garazh.

Advertisements

Rreth PASQYRIMI

Ky portal është për ty! Për ty i nderuar lexues, që informimin e ke edhe edukim, për ta kuptuar botën ku jeton dhe për të zgjedhur formën më të mirë në të jetuarit e saj. Ne nuk pajtohemi që media të degradojë në atë pikë ku informimi i pambështetur në asnjë parim etik sjell çedukim. Kjo ndodh kur informimi shndërrohet si qëllim në vetvete, pa pyetur për pasoja. Nuk parapëlqejmë të bëjmë më të lehtën gjë, duke e thënë me fjalë se synojmë vërtetësinë e akullt, drejtësinë e pakushtëzuar, dhe etikën e detyruar, por më të vështirën, të cilën ne e besojmë: që dhe lajmi i mirë, është lajm i mirë!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Gusht 18, 2017 nga te Kulturë dhe etiketuar me , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: