Denoncimi/ Lodrat dhe fishekzjarret rrezikojnë jetën e fëmijëve


image

Në vigjilje të ndërrimit të viteve të gjithë fëmijët duan t’i gëzohen marrjes së një dhurate apo krijimit të një atmosfere sa më festive. Lodrat por dhe fishekzjarret cilësohen si dy nga elementet më tradicionalë të festës. Emisioni “BOOM” në RTV Ora News jep alarmin se lodra të dëmshme qarkullojnë në treg dhe fishekzjarret shiten jashtë çdo kriteri, duke rrezikuar kështu seriozisht jetën e fëmijëve.

Nëse tek të rriturit dëshira për të bërë një dhuratë në fundvit varet gjithmonë nga të ardhurat, për fëmijët askush nuk kursehet. Lodrat e ndryshme janë më të preferuarat për këtë festë. Po sa të sigurta janë ato?

Alarmi se lodra të dëmshme po qarkullojnë në tregun shqiptar vjen nga specialisti i “Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial”, Aleksandër Davidi. Në një intervistë eksluzive për emisionin “Boom” ai thotë se mungesa e një laboratori për analizimin e përmbajtjes së lëndëve kimike te lodrat, bën që momentalisht ato të mos jenë të kontrolluara. Lodrat më të rrezikshme konsiderohen ato plastike, pasi plastika në vetvete, përmban 22 ftalate, ndryshe lëndë kimike të dëmshme.

Pasojat sipas Davidit shkojnë deri në probleme me aftësinë riprodhuese të fëmijëve në të ardhmen e tyre. I pyetur nga gazetarja e emisionit Boom, Arjana Loçe, se si mund ta dallojnë prindërit një lodër të dëmshme nga një jo e dëmshme, ai u shpreh se momentalisht kjo mund të bëhet vetëm me shqisa. Nëse një lodër ka aromë, cilado qoftë ajo, nuk duhet blerë. Me sy duhen parë, etiketimi në shqip, ç`ka në ligjin nr.10 480 për “Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve Joushqimore” është në çdo rast detyrim i prodhuesit dhe shpërndarësit, mosha e përdorimit si dhe fortësia.

Emisioni “Boom” ka mësuar se ligji, edhe pse mban datën 17 Nëntor 2011, nuk është plotësuar me akte nënligjore, duke e bërë kështu të pamundur, zbatimin e plotë të tij. Kompetencën për kontrollin në treg të lodrave, prej disa kohësh e ka “Inspektorati i Mbikqyrjes së Tregut”, në Ministrinë e Ekonomisë. Nga interesimi pranë kësaj të fundit, rezulton se ky inspektorat nuk ka zgjedhur ende drejtuesin e tij, Kryeinspektorin, e për pasojë nuk e ka nisur punën.

Gazetarët e “Boom”, vëzhguan me kamera të fshehta disa nga dyqanet e tregtimit të lodrave në Tiranë, ku panë se mungesa e etiketimeve në gjuhën shqipe, shitja e lodrave për çdo lloj moshe, apo edhe era e rëndë e tyre, ishin prezent në pjesën më të madhe të tyre. Sipas Mariglena Cmetaj, specialiste në “Institutin e  Shëndetit Publik” markimi i sigurisë C E keqpërdoret. Markimi C E që nënkupton, lodra të kontrolluara nga Bashkimi Europian, gjendet dhe në çdo lodër kineze, tek e cila në fakt kjo shenjë nënkupton Eksportuar nga Kina dhe jo nga Bashkimi Europian. Po sipas Cmetajt, fëmijët nuk duhet të qëndrojnë gjatë apo flenë në të njëjtin ambient me lodrat, pasi ato çlirojnë lëndë kimike.

Emisioni “Boom” kërkoi një informacion në lidhje me kontrollin e lodrave edhe në “Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave”, nga ku mësoi se i vetmi kotroll që doganat ushtrojnë është skanimi me sisitemin Rapidscan për prezencën e lëndëve radioaktive në lodra. “Drejtoria e Përgjithshme e Doganave” disponon vetëm aparaturën e analizimit të ftalateve, të cilat hyjnë në grupin e kimikateve të rrezikshme në lodrat e fëmijëve, por nuk disponon aparaturë për analizimin e metaleve të rënda. Raste të bllokimit të lodrave sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave nuk ka edhe pse në treg, problemet shihen me sy të lirë.

Emisioni “Boom” i kushtoi  vëmendje dhe  shitjes së fishekzjarreve, kushtet në të cilat shiten dhe kujt i shiten.Në manualin e përdorimit të çdo fishekzjarri apo kapsolla është e përcaktuar edhe mosha  e personave që iu lejohet ta blejnë dhe ta përdorin. Një gjë e tillë nuk respektohet as nga shitësit, as nga blerësit. Festat e fundvitit çdo vit shoqërohen me incidente, por në fund, askush nuk mban përgjegjësi apo penalizohet. Për të kontrolluar këto shitje të vetmit që duhet ta bëjnë janë tregtarët që shesin lëndët piroteknike. Shumë pak prej tyre, janë të ndërgjegjshëm dhe nuk lejojnë që këto lëndë të bien në duar të minorenëve  Bashkëpunetori i emisionit “Boom” një 12 vjeçar, shkon në tregun e Qytetit të Nxënësit në katër dyqane që tregtojnë fishekzjarre dhe kapsolla. Në tre prej tyre ai blen fishekzjarre dhe kapsoll që në manualin e përdorimit është e ndaluar t’u shiten personave nën 16 dhe 18 vjeç. Në këtë treg ka edhe tregtarë të ndërgjegjshëm. Në dyqanin e fundit shitësja e pyet fëmijën me kë shoqërohej dhe në momenetin që djali i thotë se është vetëm, ajo nuk pranon t`i shes asnjë fishekzjarrë.

 

image

Kamera 1.

Fëmija: Desha fishekzjarre

Shitësja 1: Po, si këto?

Fëmija: Prit ti shoh.

Shitësja 1: 2 mijë lekë.I ke me plasje dhe me hapje në ajër. Ke dhe këto…

Fëmija: Desha një si kjo. Sa lekë bën?

Shitësja 1: 2 mijë lekë…Shumë faleminderit! Gëzuar!

Fëmija: Gëzuar, Mirupafshim!

image

Kamera 2.

Fëmija: Sa kushtojnë këto kapsollat?

Shitësi 2: 200 lekë.

Fëmija: Më jep … më jep 4 copë.

Shitësi 2: 4 copë, 800 lekë. Merri dhe 2, 1000 lekë

Fëmija: Mirupafshim!

 

image

Kamera 3.

Fëmija: Sa kushton ky?

Shitësi 3: 3500 lekë

Fëmija: 1?

Shitësi 3: Po, copa.

Fëmija:  Mirë ma jep një, vetëm 1 desha.

Kamera 4.

Shitësi 4: Kalamaja ça deshe? Me kë je?

Fëmija: Desha kapsolla.

Shitësi 4: Me kë je?

Fëmija: Vetëm , vetëm.

Shitësi 4: Mirë , kalo andej se nuk japim. Kalo përpara vrap.

Fëmija: Mirë!

Për të kontrolluar shitjen e fishekzjarreve dhe kapsollave, “Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë” në bashkëpunim me “Shërbimin Zjarrëfikës”, ka hartuar një plan masash për të evituar incidentet e mundshme.

Shefi i Rendit, Idriz Daulle shpjegon për gazetaren Domenika Bajraktari se nga policia dhe shërbimi zjarrfikës janë kontrolluar 700 subjekte. Si fillim janë bërë verifikime të subjekteve në terren dhe janë këshilluar tregtarët që të mos shesin fishekzjarrë dhe kapsolla tek fëmijët nën 12 vjeç.

I pyetur për kushtet që duhet të plotësoj një dyqan që shet këto produkte, ai shpjegon se dyqani duhet të jetë larg zonave të banuara, me dalje në të katërt anët me rrugë, i pajisur me fikse zjarri si edhe muret dhe dyshemeja duhet të jenë të përforcuara që ti rezistojnë zjarrit. Pavarësisht garancisë së institucioneve për të shmangur incidentet, emisioni “Boom” tregoi se situata nuk është aspak nën kontroll, duke vënë në rrezik jetën e fëmijëve./Oranews.tv/

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
search previous next tag category expand menu location phone mail time cart zoom edit close