Pacientët e QSUT orientohen në klinikat private


foto-nga-video
Mjekë të dypunësuar të QSUT-së shpërdorojnë detyrën duke referuar pacientët në sektorin privat të shëndetësisë. Shkak për këtë bëhet fakti se disa prej tyre zotërojnë klinika private ose kanë lidhje interesash me to. Duke qenë se ligji lejon dypunësimin, mjekë dhe shefa pavijonesh të punësuar edhe në privat nuk respektojnë oraret e punës në sektorin shtetëror.

Shoqata e Gazetarëve për Drejtësi inicioi një investigim për të hedhur më shumë dritë rreth kësaj të vërtete. Në terren nga hulumtimet u evidentuan raste konkrete kur shefat e pavijoneve në spitalet publike zotëronin klinika private ose orientonin pacientët që të zgjidhnin shërbimin publik drejt klinikave private. Pronësia e këtyre klinikave provohet nga të dhëna zyrtare të Qendrës së Shërbimit të QKR-së.

SHGD sjell rastin flagrant të indiferencës së mjekut kardiolog Idriz Balla pranë QSUT-së, i cili refuzon të presë pacientin, pasi sipas tij ka një klinikë private ku mund të realizohet vizita dhe jo në repartin shtetëror.

Biseda me kameranë e fshehtë

Gazetari: Përshëndetje!

Idriz Balla: Përshëndetje!

Gazetari: Jam i interesuar për të bërë një konsultë për gjyshin.

Idriz Balla: Do ta shtrosh ti, po ku ta çoj unë? Unë se kam shtëpinë e tim ati. Kush je ti që më pyet?

Gazetari: Unë jam nipi.

Idriz Balla: Nga je ti?

Gazetari: Nga Elbasani.

Idriz Balla: Ça të them unë?

Gazetari: Kur të vij për një konsultë?

Idriz Balla: Jo mo nuk bëj fare konsulta, i kam hequr.

Gazetari: Po pse?

Idriz Balla: Po s’dua. Unë kam privatin, por i shërbej edhe repartit. Po të vij te reparti, e shof.

Gazetari: Nesër mund ta lë një vizitë?

Idriz Balla: Ça është nesër, e premte…jo jo nesër nuk kam mundësi se jam te Kemp-et. Po ti ça je? Ça pune bën?

Gazetari: Unë jam student në Elbasan.

Idriz Balla: Po pse se viziton në Elbasan?

Gazetari: Po sikur se dini edhe ju si janë ato në Elbasan.

Idriz Balla: Po unë ça të them, nuk e di ça të them. Nesër jam në Kemp, jam gjithë ditën i zënë.

Një tjetër rast flagrant u regjistrua nga një mjek i Kosovës i cili sugjeronte qytetarë nga Kosova që të kryenin shërbime në klinikën private të doktorit Mentor Petrela.

Pacientja: Fillimisht ne vetë kemi marrë një adresë nga Kosova. Një mjek nga Kosova na kanë udhëzuar te Mentor Petrela.

Gazetari: Jo tek konsulta, por te klinika private.

Pacientja: Po, se na thanë mbaron punë brenda ditës.

Investigim.al publikon gjithashtu një tjetër rast flagrant ku mjekja, zëri i së cilës dëgjohet në audio drejton pacienten drejt klinikës private me arsyen se shërbimi është më cilësor. Gjithashtu mjekja pohon se shërbimi në fjalë ka një kosto të lartë edhe në shtet për të justifikuar ndërmjetësimin që ajo bën me privatin.

Pacientja: Shyqyr. Po shumë e bënin biopsinë ato, 66 mijë lekë.

Mjekja: Po 40 e ke në shtet.

Pacientja: Pse 40 është në shtet?

Mjekja: Po, 40. Unë do të fusja 30 me mik te civili.

Pacientja: Po atje sa vononte (në shtet)?

Mjekja: 3 muaj, po unë të çova këtu se i kam miq.

Pas vëzhgimeve në QSUT bie në sy mungesa e këtyre mjekëve gjatë orareve  zyrtare, megjithëse ato janë të afishuara në pavijonet përkatëse. Ndërsa presin në radhë me dokumente në duar pacientët ankohen se sektori që çalon më shumë sipas tyre është ai i kryerjes së analizave. Sportelet për dhënien e informacionit në spital përcjellin pacientët nga një drejtim në tjerin duke përfunduar kështu larg dyerve të spitaleve publike drejt klinikave private ku kostoja financiare është gati e papërballueshme nga pacientët.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pacientët ngrenë shqetësimin e orientimeve drejt klinikave private, çmimeve tepër të kripura si dhe mungesën e ilaçeve.

Ankesat e qytetarëve

Me sytë e mi kam parë që dërgojnë me dhjetra njerëz nëpër klinika private.Tani thonë bëjë te 21-shi një eko zemre ndërkohë që mund ta bëja këtu. Ka korrupsion”.

“Turp është, mungesa e orarit. Ik në mëngjes te Onkologjiku dhe shiko radhën, ta jep vet ajo shpjegimin”.

“Mangësi nga më primitivet, aq sa nuk ka as paracetamol në farmacitë e spitaleve. Është e verifikueshme që nuk ka termometër, aparat tensoni, ilaçe dhe shërbimi lë për të dëshiruar. Analizat nuk bëhen në spitale. Një person bëri analizat 15 mijë lekë të reja, e orientruan te Spitali Amerikan. Doktoresha që e orientoi u fut në pavijonin e spitalit privat ku bëri analizat. Shefat e pavijoneve po se po, por edhe mjekët orientojnë”.

”Të paguaj unë një analizë 100 mijë lekë, unë jam peshkatar. Jo të vij kalamani 1 vjeç dhe tja bësh analizat këtu ato që them unë pastaj kalo te privati, përse duhet të shkoj te privati që të marrin lekë këta?”.

Në mungesë të ofrimit të një shërbimi cilësor pranë sektorit publik, alternativa e vetme që u ngelet pacientëve është shërbimi i sektorit privat. Kjo konfirmohet për SHGD nga përfaqësues të klinikave private. Por është paradoksale sepse në këto klinika shërbejnë të njëjtët mjekë që shërbejnë edhe në spitalin shtetëror dhe me një gjykim të parë jepet përshtypja e një pune me dy standarde nga ana e mjekëve.

Përgjigjen na e jep një prej pacientëve të një prej klinikave private në kryeqytet që drejtohet nga mjeku Agron Ylli, drejtues i pavijonit të Endokrinologjisë:

Intervistë audio me pacienten në klinikën rpivate

Gazetari: Pse njerëzit zgjedhin shërbimin në privat?

Pacientja: Për më shumë shpejtësi.

Gazetari: Në publik ke shkuar?

Pacientja: Nuk është i njëjti shërbim.

Gazetari: Pse nuk ka pajisje të mira?

Pacientja: Të gjitha në kompleks. Që nga mënyra se si të presin, janë shumë të vrazhdë. Mënyra se si ata të presin është sikur po ju zë derën. Nuk janë në disponim për të shërbyer, janë harbutër.

Por jo vetëm Agron Ylli është pjesë e stafeve të klinikave private. Në qendrën mjekësore “Diplomat” shihen një sërë mjekësh dhe shefa pavijonesh të cilët ushtrojnë profesionin e tyre në çdo orë të ditës, duke lënë kështu në mëshirë të fatit detyrimin ligjor për t’i shërbyer qytetarëve në spitalin “Nënë Tereza”.

Ish-ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka pohon për investigim.al se mjaft mjekë dhe shefa pavijonesh shkatërrojnë qëllimisht pajisjet dhe aparaturat në spitalet publike për të ofruar shërbime në klinikat private. “Këta shefa e orientojnë klientin pacient drejt klinikave private duke ngushtuar hapësirat te pjesa publike, duke krijuar edhe probleme në infrastrukturë, shpeshherë duke prishur qëllimisht pajisjet mjekësore për t’i ortientuar drejt këtyre klinikave. E domosdoshme që të ketë kontroll permanent duke vendosur pengesa ligjore që të hiqet mundësia e abuzimit të këtyre shefave të klinikave kryesore”, shprehet Nard Ndoka.

Ish-ministri i Shëndetësisë thotë se në Shqipëri është krijuar një kulturë abuzimi në sektorin e shëndetësisë, ku jo çdo gjë rregullohet vetëm me ligj. “Përtej demagogjisë që sistemi shëndetësor do të jetë pa pagesë, me rëndësi vendosja e një balance mes spitaleve publike dhe private. Detyra e Ministrisë së Shëndetësisë është të mos ketë konflikt interesi, zhvendosje dhe pengesa ndaj pacientëve që preferojnë sistemin publik duke i transferuar me mënyra të tërthorta drejt klinikave private”, shprehet Ndoka.

Si përfundim, konstatohet se ligji për dypunësimin e mjekëve lë hapësirë për abuzim nga ana e bluzave të bardha në sektorin publik dhe favorizim të klinikave të tyre private.

Grupi i studentëve që realizuan video-investigimin: Olsjan Topalli,Enkel Xhangolli, Andrea Danglli, Arnold Osmani, Bekim Skënderi, Besar Bajraktaraj, Erlinda Dushku, Alte Hysi, Elsa Dautaj, Enida Vërça, Elona Tomja, Panajota Merko, Mikela Pupa, Sadjona Shkurta, Parashevi Taga./investigim.al

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
search previous next tag category expand menu location phone mail time cart zoom edit close